Rënia drastike e importeve të mallrave të përpunimit aktiv, tregon vazhdimësi të krizës në Shqipëri
Rënia drastike e importeve për përpunim aktiv gjatë muajve të parë të vitit 2026 sinjalizon një thellimin e krizës për industrinë fason.
Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave vlera e lëndës së parë që hyn në Shqipëri për t’u ri-eksportuar ka zbritur në rreth 29.5 miliardë lekë për tremujorin e parë, duke shënuar një tkurrje me 1.7 % në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit 2025 dhe rreth 33% krahasuar me vitin 2023, kur ky sektor regjistroi kulmin e tij prej mbi 43.7 miliardë lekësh import lëndësh të para.
Ky trend rënës, i cili nisi të bëhej i dukshëm në vitin 2024, tregon se sektori po përballet me humbje sistematike të porosive nga partnerët e huaj.
Situata paraqitet veçanërisht kritike nëse analizohet ecuria e muajit mars, i cili historikisht shënonte kulmin e prodhimit, por që këtë vit ka rënë në nivele minimale prej 10.8 miliardë lekësh, -2.3% ne krahasim me marsin 2025, duke mos arritur të ndalë rënien e porosive që nisi që në muajin Janar.
Rënia e vazhdueshme e industrisë së përpunimit aktiv gjatë tre viteve të fundit diktohet nga një seri faktorësh. Sipas fabrikave faktori kryesor është forcimi i paprecedentë i monedhës vendase ndaj euros, i cili ka goditur drejtpërdrejt marzhin e fitimit të fabrikave shqiptare. Duke qenë se këto biznese i nënshkruajnë kontratat me partnerët e huaj në euro, por shpenzimet e tyre operacionale si pagat, energjia dhe taksat paguhen në lekë, zhvlerësimi i valutës ka bërë që të njëjtat vëllime pune të sjellin shumë më pak të ardhura, duke i çuar shumë ndërmarrje drejt mbijetesës ose falimentit.
Paralelisht me goditjen që erdhi nga forcimi i lekut, industria po përballet me një rritje të ndjeshme të kostove të brendshme, ku peshën kryesore e zë rritja e vazhdueshme e pagës minimale dhe mungesa e fuqisë punëtore në anën tjetër.
Shqipëria ka humbur avantazhin e krahut të lirë të punës, duke bërë që të mos jetë më destinacioni i preferuar për markat ndërkombëtare, të cilat tashmë po i orientojnë porositë e tyre drejt vendeve të Afrikës së Veriut apo Azisë Qendrore, ku kostot mbeten më konkurruese.
Viti 2023 përfaqësonte pikun e porosive pas-pandemisë me mbi 43.7 miliardë lekë importe lënde të parë, teksa në vitet në vijim trendi negativ nuk u ndal, duke treguar një zbehje konstante të interesit të kontraktorëve të huaj. Modeli aktual i fabrikave fason po shkon drejt një cikli të ri, ku vetëm ata që arrijnë të kalojnë drejt prodhimit të plotë dhe automatizimit mund t’i mbijetojnë kushteve t reja./ Monitor/

Rruga Press

