Hyjnë në fuqi masat e reja kufizuese në Kosovë, nga sot ‘ngushtohet’ ora policore, certifikatë vaksinimi ose test negativ për këdo që hyn në vend
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 të cilat hyjnë në fuqi ditën e sotme.
Qeveria ka ndërmarrë masa kufizuese, me qëllim të kontrollit dhe parandalimit të shpërndarjes së COVID-19, pasi situata me koronavirusin është përkeqësuar. Vetëm dje u regjistruan 36 vdekje dhe 1630 raste pozitive nga virusi, shifra më e lartë që nga fillimi i pandemisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se masat kundër pandemisë i ndërmarrin konform situatës epidemiologjike në vend.
“Tani kur situata epidemiologjike është përkeqësuar, jemi të detyruar të marrim masa shtrënguese, duke shtyrë vitin shkollor, duke kufizuar edhe lëvizjen e qytetarëve ”, tha Kurti.
Në bazë të vendimi të Qeverisë, fillimi i vitit të i ri shkollor të shtyhet deri më 13 shtator, ku do të rivlerësohet situata. Gjithashtu rikthehet masa e kufizimit të lëvizjes (ora policore) nga ora 22:00 deri në 05:00. Ndërsa, lokalet, restorantet dhe baret do të punojnë deri në orën 21:30 në ambientet e hapura.
Të gjitha institucionet publike dhe private janë të detyruara të punojnë me staf minimal deri më 13 shtator. Të gjithë qytetarët që do të hyjnë në Kosovë, nëpër pikat kufitare duhet të paraqesin dëshmi që nuk janë të infektuar me COVID-19.
Ata duhet të jenë të pajisur me Certifikatën e vaksinimit të plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19, Testi RT-PCR negativ për COVID -19 ose Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19.
Rruga Press