Thellohet kriza/ Rritet kostoja e jetesës nën qeverinë Rama, Inflacioni ‘godet’ familjet shqiptare, kërcen në 2.8%
Kostot e jetesës së shqiptarëve vijon të shtrenjtohet. Raporti i INSTAT zbulon se në Prill 2026 jetesa në Shqipëri është bërë më e shtrenjtë krahasuar me një vit më parë, edhe pak më e shtrenjtë krahasuar me muajin Mars.
Në prill, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të shportës kryesore te mallrave arriti në 2.8%, nga 2.6% që ishte në mars, muaji i parë pas fillimit të luftës në Lindjen e Mesme që ndikoi në rritjen e menjëhershme të çmimeve të karburanteve mbi 200 lekë, nga 175 lekë që ishte deri në shkurt.
Ky është niveli më i lartë që nga janari 2024, kur vendi po vuante ende nga efektet e luftës Rusi Ukraine.
Rritjet më të mëdha janë evidentuar në transport (karburanti, biletat etj.) ndjekur nga qiratë, energjia, uji dhe gazi
Sipas njoftimit të INSTAT norma e inflacionit e matur me Indeksin e Çmimeve të Konsumit (IÇK) në muajin Prill 2026 ishte 2,8 për qind, nga 2,3 për qind në Prill 2025.
Ndërsa krahasuar me muajin Mars 2026, çmimet e konsumit u rritën me 0,3 për qind. Rritja vjetore e çmimeve në Prill 2026 u ndikua kryesisht nga grupi “Transporti” me 8,5 %, pasuar nga “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 4,7%, “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4,1%, “Argëtim, sport dhe kulturë” me 3,7%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Restorante dhe shërbime akomodimi“ me 2,8% secili, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” me 2,7% secili, “Shërbimi arsimor” me 2,0%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,3%, etj.
Krahasuar me Mars 2026, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 1,0%, pasuar nga grupet “Argëtim, sport dhe kulturë” me 0,9%, “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” me 0,8%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,7%, “Restorante dhe shërbime akomodimi“me 0,5%, etj. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 0,2%.
Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor
Rritja vjetore e çmimeve në muajin Prill është ndikuar kryesisht nga grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me +0,93 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me +0,55 pikë përqindje. Gjithashtu, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,47 pikë përqindje, çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me + 0,19 pikë përqindje, çmimet e grupit “Restorante dhe shërbime akomodimi” ndikuan me +0,16 pikë përqindje, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,13 pikë përqindje, çmimet e grupit “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” me +0,12 pikë përqindje, çmimet e grupeve “Argëtim, sport dhe kulturë” dhe “Shërbimi arsimor” me +0,07 pikë përqindje secili, çmimet e grupit “Sigurime dhe shërbime financiare” me +0,06 pikë përqindje, çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,03 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Informacioni dhe komunikimi” me +0,02 pikë përqindje.



Rruga Press

