Guroret e Tomorrit kthehen në burim aksidentesh të rënda për punëtorët
Subjektet e nxjerrjes dhe përpunimit të gurit dekorativ dhe atij të mermerizuar në malin e Tomorrit konsiderohen aktivitete me rrezik mjaft të lartë për aksidentet në punë.
Në orët e para të 14 prillit, zhurma e helikave të një helikopteri prishi qetësinë e zakonshme të mëngjesit në qytetin e vogël të Çorovodës, 172 kilometra në jug të Tiranës.
Mjeti i ndihmës së parë, që fluturonte nga kryeqyteti, u ul në fushën e stadiumit të Çorovodës për të evakuuar një punëtor të aksidentuar, i cili ishte plagosur në këmbë gjatë punës në një nga subjektet e nxjerrjes së gurit në Grykën e Dëvrisë.
Për të plagosurin ishte kërkuar fillimisht ndihma e spitalit të qytetit, por kur mjeku i urgjencës konstatoi gjendjen e pacientit, ai kërkoi menjëherë ndërhyrjen e helikopterit për ta transferuar në Tiranë.
Mjeku Agron Veizaj kujton se ishin njoftuar rreth orës 10:00 të mëngjesit nga një telefonatë në numrin e urgjencës, që një punëtor guroreje ishte aksidentuar në gjymtyrët e poshtme.
“Është konstatuar se i riu rreth 35-vjeç kishte dëmtim të rëndë të njërës këmbë dhe rrezikonte që ta humbiste, nëse nuk merrte ndihmën në kohë, ndaj është bërë urgjentisht dërgimi i tij drejt spitalit të Traumës në Tiranë me helikopter,” tha Veizaj.
Aksidenti i 14 prillit nuk është një rast i izoluar në Skrapar. Tre javë më herët, më 3 prill, një tjetër punëtor 45 vjeç nga Çorovoda humbi jetën në punë e sipër, si rezultat i shkëputjes së një masivi shkëmbor në gurore.
Sipas autoriteteve, sektori minerar është një aktivitet i rrezikshëm me dhjetëra aksidente të regjistruara gjatë dekadës së fundit; megjithatë, për shumë banorë të zonës, punësimi në gurore mbetet alternativë e vetme për mbijetesë përtej emigrimit.
Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore në Berat i tha BIRN se në pesë vitet e fundit, 2015-2020 janë raportuar 38 aksidente në punë në qarkun e Beratit dhe aktiviteti i nxjerrjes së gurit është ai me rrezikshmërinë më të lartë.
“Në këto aksidente, 38 punëmarrës janë lënduar dhe 4 prej tyre kanë humbur jetën,” tha Mimoza Gërmënji, përgjegjëse e Sektorit të Inspektimit.
“Punëmarrësit me humbje jete janë raportuar në subjektet e minierave, prodhimit, ndërtimit e shërbimeve,” shtoi ajo.
Gërmënji thekson se këto subjekte janë me rrezik të lartë dhe vazhdojnë të jenë të tillë megjithë kontrollet e ushtruara, përmirësimin e kushteve të punës nëpëmjet mjeteve mbrojtëse, ligjit të përmirësuar për sigurimin e jetës së çdo punëtori apo ndërgjegjësimin e administratorëve për të zbatuar ligjet.
“Subjektet me aktivitet minierat e karrierat e përpunimit të gurit janë subjektet me rrisk të lartë dhe janë prioriteti ynë për kontrolle dhe rikontroll të herë pas hershëm,” tha ajo .
Belul Çela, kryeplaku i fshatit Gostënckë thotë se puna me gurin është “luftë” me malin dhe risku është gjithmonë prezent në këtë lloj aktiviteti minerar.
“Për aksidente dëgjojmë shpesh, por ajo është punë me gurin, është punë që i merr malit atë që ka më të shtrenjtë, gurin, dhe shkëputja ka vështirësi, ka rrezik në çdo moment,” theksoi ai.
Gostëncka është një nga fshatrat ku punohet për nxjerrjen e gurit të mermerizuar. Në këtë zonë, toka bujqësore është e pakët, ndaj blegtoria dhe puna në gurore janë mundësitë e vetme për mbijetesë.
“Ata që ikën në emigrim, nuk u kthyen më pas, ne që ngelëm kemi pak mundësi dhe puna në gurore është e vetmja mënyrë për të siguruar bukën për familjen,” tha Çela.
Iliri, një i ri nga fshati Gostënckë, i cili punon në një nga subjektet e nxjerrjes së gurit në zonën e Dëvrisë, shprehet se nëse do të rikthehej pas në kohë, nuk do ta zgjidhe përsëri këtë profesion të vështirë.
“Nuk është punë thjesht e vështirë, është sfilitëse në disa momente të veçanta dhe stresuese, pasi një moment nuk është i ngjashëm me tjetrin, sepse asgjë nuk dihet se çfarë mund të ndodhë,” tha 35-vjeçari.
Iliri shpjegoi se ka provuar të emigrojë, por përpjekja për të ndërtuar një jetë jashtë vendit s’ka shkuar sipas parashikimeve të tij. Pas rikthimit në fshat, pesë vite më parë, gurorja ishte e vetmja mundësi për mbijetesë
“Fillimisht mendova që të investoja në blegtori, por lekët nuk mjaftuan dhe zgjodha punën në gurore, duke e ditur se ajo është e vështirë, por nuk kisha asnjë zgjidhje tjetër,” tha ai.
“Edhe pse pajisjet mbrojtëse nuk na mungojnë, jo gjithmonë të mbrojnë,” shtoi Iliri, ndërsa theksoi se “guri hiqet nga mali dhe normale që ka rrezik.”
Nazmi Dani, 74 vjeç, e ndan jetën mes qytetit të Poliçanit dhe fshatit Novaj, ku banonte dikur. Vite më parë ai ka punuar në aktivitetin e gurit në zonën e Novajt dhe pasi nuk mundi të punonte dot më, vendin e punës ia la të birit.
“Nuk kishim zgjidhje tjetër, as në Novaj, as kur erdhëm në Poliçan, se as këtu punë nuk ka,” thotë i moshuari.
Dani kujton se përpara se të hapeshin aktivitetet komerciale minerare, banorët e Bogovës i përdornin rrasat e gurit për të ndërtuar shtëpitë e tyre.
Shkëlqim Qato, një bashkëfshatar i tij 77 vjeçar nga Novaj thekson se puna në gurore ka qenë vazhdimisht një burim aksidentesh për banorët e zonës.
“Është punë me gurë ajo, nuk të bën vetëm duart me kallo, por merr edhe jetë, të plagos apo të lëndon,” tha Shkëqimi. “Gati çdo vit guri merr jetë njerëzish, apo të plagosur,” përfundoi ai./Birn
Rruga Press