”Bota po i përulet, opozita e bojkoton” – Haskuka: Rushiti nuk është emër partie, por simbol i lirisë
Kuvendi i Kosovës po përballet me vazhdimin e bllokadës në procesin për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Edhe në këtë seancë që u shtye për nesër, në sallë ishin të pranishëm vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi opozita ka vijuar bojkotin.
Për këtë, ka reaguar ashpër deputeti i LVV-së, Mytaher Haskuka, i cili ka kritikuar mos pjesëmarrjen e opozitës në sencë për Feride Rushitin, e nominuar për Çmimin Nobel për Paqe 2025.
Ai ka ngritur pyetjen se “ku ka kandidate më konsensuale”, duke theksuar se Rushiti gëzon respekt të gjerë ndërkombëtar për punën e saj me të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe torturës gjatë dhe pas luftës.
Sipas Haskukës, opozita po e trajton këtë çështje me qasje partiake, ndonëse bëhet fjalë për një figurë që, siç tha ai, përfaqëson dinjitetin dhe dhimbjen e viktimave.
Ai shtoi se mungesa e mbështetjes për një emër të tillë do të gjykohet nga historia, duke theksuar se Rushiti nuk është figurë partie, por simbol i një kauze të madhe njerëzore.
POSTIMI I PLOTË I DEPUTETIT HASKUKA:
NOMINOHET PËR NOBEL, POR “BOJKOTOHET” NGA OPOZITA!
Ku ka kandidate më konsensuale?
Bota e respekton Feride Rushitin për shërimin e plagëve të luftës, ndërsa opozita jonë po i kthen shpinën. Nominimi për Çmimin Nobel për Paqe 2025 është vula e një jete në shërbim të viktimave të dhunës seksuale dhe të mbijetuarve të torturës, kauzës më të dhimbshme të lirisë sonë.
A ka dikush që mund ta kontestojë pastërtinë e saj? A ka dikush që thotë se ajo përfaqëson interesa tjerë, përveç zërit të atyre që pësuan më së shumti nga lufta?
Kur bota e sheh si simbol të paqes dhe dinjitetit, si mundet opozita jonë ta shohë përmes syzeve partiake?
Që nga viti ’99, nëpër tendat e refugjatëve… Për mbi 20 vite, në mbrojtje të grave dhe të mbijetuarve të torturës…
Ata që nuk votojnë sot, do t’i gjykojë historisa. Feride Rushiti nuk është emër partie, është emri i dhimbjes dhe I krenarisë sonë.
Rruga Press

