KryesoreLajme

Imazhi me pritjen e Ferdonije Qerkezit si mural kujtese e thirrje për drejtësi

Është nëna nga Gjakova, Ferdonije Qerkezi. Para ka gjashtë pjata. Në mars janë bërë 27 vjet, prej kur policia serbe dhunshëm ia ka ndarë nga ajo katër djemtë dhe bashkëshortin. Ia morën në shtëpi. Veç për një arsye: qenë shqiptarë. Imazhi me pritjen e nënës e bashkëshortes ka simbolikë të fortë. Si mural në Prishtinë është thirrje për kujtesë e realitet historik i krejt prindërve që gjatë luftës së viteve 1998-1999 iu kidnapuan fëmijët e familjarët e tjerë dhe s’dihet gjë për fatin e tyre

Krejt ata që nga sot (e hënë) do të kalojnë nëpër një prej rrugëve kryesore të Prishtinës, nëpër bulevardin “Dëshmorët e kombit” do të shohin një mural që s’është veç imazh a shkathtësi artistike.

Është nëna nga Gjakova, Ferdonije Qerkezi. Para ka gjashtë pjata. Në mars janë bërë 27 vjet, prej kur policia serbe dhunshëm ia ka ndarë nga ajo katër djemtë dhe bashkëshortin. Ia morën në shtëpi. Veç për një arsye: qenë shqiptarë. Imazhi me pritjen e nënës e bashkëshortes ka simbolikë të fortë. Është thirrje për kujtesë e realitet historik i krejt prindërve që gjatë luftës së viteve 1998-1999 iu kidnapuan fëmijët e familjarët e tjerë dhe s’dihet gjë për fatin e tyre. Me krejt të gjeturit nëpër varreza masive në Serbi e Kosovë, ende mungojnë mbi një mijë veta. Si Ferdonije Qerkezi ka shumë nëna. 

E punuar nga artistja Ermira Murati, e njohur si “Orange girl”, vepra vjen sikurse shkrepja e njohur e Artan Korenicës dhe ekspozita e tij e pranverës së 2023-tës, kur Qerkezi u zhvendos në Muzeun Etnologjik të Prishtinës.

Kësaj radhe ky mural realizohet për të shënuar Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur në Kosovë, në kujtim të të gjithë personave të zhdukur gjatë luftës dhe në nderim të familjeve që vazhdojnë të kërkojnë të vërtetën dhe drejtësi. Pjatat që presin anëtarët e tjerë të familjes janë pak nga ekspozita e përhershme e Qerkezit në shtëpinë e saj muze në Gjakovë. Murali është nismë e Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Prishtinë. I kushtohet pritjes së palëkundur. Qerkezi dy djem nuk i pret më. Mbetjet mortore të tyre u gjetën më 2005. E për dy të tjerët e bashkëshortin s’di gjë.

Lexo më shumë  Kuvendi miraton marrëveshjen për Lojërat Mesdhetare

“Organge girl” të dielën mbrëma ka qenë duke u marrë me detajet e muralit. S’e ka thënë asnjë fjalë për veprën, me arsyetimin se i është përveshur punës që ta përfundojë pa ia marrë anën terri dritës.

“Portreti paraqet nënën Ferdonije Qerkezi, një nënë nga Gjakova, e cila humbi bashkëshortin dhe katër djemtë e saj gjatë luftës. Për dekada me radhë, ajo vazhdon të kërkojë përgjigje për fatin e tyre. Këmbëngulja dhe forca e saj e kanë bërë një simbol të fuqishëm të përballjes së mijëra familjeve të personave të zhdukur në Kosovë”, shkruhet në njoftimin e Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.

Sipas njoftimit, ky mural nuk përfaqëson vetëm historinë e Qerkezit, por edhe dhimbjen, pasigurinë dhe shpresën e të gjitha familjeve që ende presin përgjigje.

“Murali synon të ruajë kujtesën kolektive, të rrisë ndërgjegjësimin dhe të rikujtojë rëndësinë e së vërtetës, llogaridhënies dhe solidaritetit me familjet e të zhdukurve”, shkruhet në njoftim. U bëhet thirrje qytetarëve që më 27 prill, duke nderuar kujtesën, të kërkohet drejtësi.

Një imazh fotografie i Artan Korenicës sikurse edhe vjen në mural kishte bërë bujë më 2018. Shërbeu edhe si pikënisje e ekspozitës së Korenicës më 2023. Fotografia më unike që ka realizuar ndonjëherë, do ta cilësonte kaherë mjeshtri i fotografisë. Ajo është e fuqishme edhe tash e edhe më 2023, kur mori një kontekst tjetër, të gjallë. Riprodhohej si veprim.

Në ekspozitën e atëhershme, duke filluar nga kati përdhes e deri tek ai i sipërm i ndërtesës së shekullit të 19-të në Muzeun Etnologjik, zinin vend fotografitë e ndryshme të personave që lufta e fundit i ka lënë pa ndonjërin prej familjarëve të afërm. E një dhomë e veçantë qe ndarë për Ferdonije Qerkezin. Asokohe qe shfaqur edhe një film 12-minutësh. Filmi nis me Qerkezin (Arta Muçaj) duke lustruar këpucët. Përditshmëria e saj vazhdon me pastrimin e rrobave, përgatitjen e ushqimit e deri në punët e tjera shtëpiake që ajo bën. Shpesh i duket sikur dëgjon zëra. Mësyn te dera e hyrjes, por i përsëritet pamja e përhershme: boshllëku. Kjo thyerje emocionale përçohet zëshëm veç nëpërmjet portretit të Muçajt pa e thënë asnjë fjalë, ashtu siç është krejt filmi, pa narracion. Përditshmëria e vetë Qerkezit kishte ardhur në një tjetër projekt më 2016. Nëpërmjet dokumentarit prej 30 minutash, Gazmend Bajri në bardhezi kishte sjellë jetën e gruas që lufta e bëri të shndërrohej në nënë simbol për krejt të tjerat që kanë humbur fëmijët. Por në Muzeun Etnologjik e në veprën e Korenicës tavolina e bukës me Ferdonije Qekezin aty bashkë me pjatat që s’i prek kush e prej ku shikohej filmi ishte bash gjysma e konceptit. Pa të ndjesia e hyrja në botën e Qerkezit zor që do të funksiononin. 

Lexo më shumë  Kurti dhe Muja inaugurojnë objektin e ri të Bujqësisë në veri të Mitrovicës. Diskriminimit i ka ardhë fundi

Tash murali në Prishtinë është edhe një thirrje tjetër për drejtësi. Po ashtu një ftesë për të vizituar shtëpinë muze të Qerkezit. Vendin ku janë të renditura të gjitha gjësendet e pesë anëtarëve të familjes që mungojnë. Ato të të dy nuseve, që pas një kohe në pritje, u orientuan për të krijuar lidhje bashkëshortore tjetërkah. E Qerkezi është ciceronia e muzeut unik. Aty vetë nëna e bashkëshortja rrëfejnë për natën e trishtë bashkë me krejt ndjesinë që bart tash e 27 vjet. Ndjesinë që veç ajo di ta sqarojë. Gjithnjë aq sa mundet, pasi mërzia e bën të veten.

Rruga Press

YouTube player