Kriza e re energjitike godet rëndë Evropën
Bashkimi Evropian ka zbuluar një sërë masash emergjente të planifikuara për të zbutur ndikimin e kostove në rritje të energjisë në ekonominë e tij.
Propozimet, të shpallura të mërkurën, nxjerrin në pah dëmin ekonomik që lufta me Iranin po i shkakton Evropës, e cila vetëm së fundmi ishte rikuperuar nga kriza energjetike e shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022. Disa industri tashmë po luftojnë për mbijetesë, raportoi CNN.
“Për herë të dytë në më pak se pesë vjet, evropianët po paguajnë çmimin e varësisë së Evropës nga karburantet fosile të importuara”, ka thënë Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së, në një deklaratë që përshkruante masat.
Blloku ka shpenzuar edhe 24 miliardë euro shtesë për importe energjie që nga fillimi i luftës për shkak të çmimeve më të larta, “pa marrë asnjë molekulë shtesë energjie”, thuhet në deklaratë.
Planet përfshijnë krijimin e një organi pan-evropian për të identifikuar me shpejtësi mungesat e mundshme të karburantit për avionë dhe naftës, si dhe për të koordinuar ndarjen e karburantit ose lirimin e rezervave emergjente nga shtetet anëtare të BE-së.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë dhe grupi i industrisë së aeroporteve ACI Europe kanë paralajmëruar se Evropa, e cila importon rreth 70% të furnizimit të saj me karburant për avionë, mund të përballet me mungesa të këtij karburanti në javët në vijim.
Shtetet anëtare të BE-së duhet gjithashtu “urgjentisht të pezullojnë” taksat e aviacionit, “për të zbutur ndikimin e çmimeve”, ka thënë Olivier Jankovec, drejtori i përgjithshëm i ACI Europe, në përgjigje të propozimeve të Komisionit Evropian, të cilat përfshijnë gjithashtu mbështetje për të ardhurat dhe ulje të taksave të energjisë elektrike.
Grupi i industrisë paralajmëroi më herët se ulja e udhëtimeve ajrore do të “dëmtonte ndjeshëm ekonominë evropiane”, veçanërisht vendet që mbështeten në turizëm.
Evropa përballet me krizë energjitike
Rënia e furnizimit me naftë dhe gaz natyror e shkaktuar nga lufta me Iranin, e cila tashmë ka goditur rëndë Azinë, po përhapet gradualisht drejt perëndimit. Edhe nëse bisedimet e mundshme për paqe i japin fund konfliktit këtë javë, të paktën një pjesë e dëmit ndaj ekonomisë së Evropës tashmë është bërë.
“Edhe nëse armiqësitë ndalojnë menjëherë, ndërprerjet në furnizimet me energji nga Gjiri do të vazhdojnë për të ardhmen”, u tha nga Komisioni Evropian.
Grupi Lufthansa i Gjermanisë të martën lajmëroi shkrutimin e 20,000 fluturimeve gjatë verës për të ruajtur karburantit.
Për disa biznese, ndikimi i krizës energjetike ka qenë veçanërisht i rëndë. Për shembull, një numër peshkatarësh evropianë kanë ndaluar peshkimin sepse fitimet janë goditur fort nga rritja e kostove të energjisë dhe lëndëve të para, Komisionit.
Javën e kaluar, Komisioni Evropian aktivizoi një “mekanizëm krize” për t’u lejuar shteteve anëtare të BE-së të ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për peshkatarët dhe tregtarët e peshkut.
Bizneset dhe familjet gjithashtu mund të goditen nga rritja e madhe e çmimeve për plastikat dhe detergjentet. BASF i Gjermanisë, një nga prodhuesit më të mëdhenj të kimikateve në botë, ka rritur çmimet për gjithçka, nga acidi formik që përdoret në ushqimin e kafshëve deri te produktet për kujdesin e shtëpisë – në disa raste me më shumë se 30%.
Evropa ka të ngjarë të bjerë në recesion nëse lufta me Iranin vazhdon gjatë gjysmës së parë të këtij viti dhe “ndërprerjet në furnizimet me energji zgjerohen”, parashikoi Neil Shearing, ekonomist në kompaninë Capital Economics.
Deri tani, Fondi Monetar Ndërkombëtar tashmë ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike të këtij viti në 21 vendet që përdorin euron. Në vlerësimet e përditësuara javën e kaluar, ai gjithashtu bëri një rishikim të fortë në rënie për rritjen në Mbretërinë e Bashkuar.
Rruga Press

