KryesoreLajme

Jahte, vila dhe toka/ SPAK i sekuestron 40 milionë € pasuri grupit të AKSHI-t

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi të martën se ka sekuestruar pasuri me vlerë mbi 40 milionë euro në kuadër të procedimit penal kundër ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe biznesmenëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj. Në total, masat e sekuestros kanë prekur 5 persona nën hetim.

Hetimet paraprake përfshijnë disa vepra penale të rënda, si konkurrencë e paligjshme me dhunë, heqje të paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera publikë, korrupsion pasiv të funksionarëve publikë, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Prokuroria e Posaçme akuzon Ergys Agasin dhe Ermal Beqirajn se krijuan një grup të strukturuar kriminal për manipulimin e tenderëve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, edhe përmes dhunës dhe pengmarrjes. Agasi dhe Beqiraj i shpëtuan arrestimit, ndërsa ish-drejtoresha e AKSHI-t ndodhet në “arrest shtëpie”.

Me vendimin nr. 289, datë 20 prill 2026, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pranoi kërkesën e SPAK dhe vendosi sekuestrimin e një numri të madh pasurish në emër të pesë personave nën hetim.

Lexo më shumë  Rama vazhdon me PPP-të/ Në vend që tu lehtësojë shpenzimet, qeveria i rrit. Deri në vitin 2030, rreth 20% e rrugëve me pagesë

Pasuritë përfshijnë apartamente dhe toka në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Kavajë, vila dhe prona të mëdha në zonën e Petrelës, automjete luksoze si Land Rover Defender dhe Volkswagen Tiguan, një jaht, si dhe disa subjekte tregtare. Po ashtu janë sekuestruar edhe llogari bankare dhe shuma të konsiderueshme parash në banka dhe kompani private.

Pjesa më e madhe e pasurive rezulton të jetë në emër të biznesmenit Ergys Agasi, i cili zotëron disa prona dhe ndërtesa në zonën e Petrelës, si dhe apartamente dhe prona të tjera në Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Ndërkohë, personave të tjerë nën hetim u janë sekuestruar gjithashtu prona të paluajtshme, kompani, automjete dhe shuma të mëdha parash në llogari bankare ose në subjekte tregtare.

Vetëm Mirlinda Karçanajt i janë sekuestruar tre apartamente – dy në Tiranë dhe një në Qerret, si dhe 1500 m² tokë në Sauk, llogari bankare dhe një automjet.

Lexo më shumë  Opozita merr peng Kosovës, shnatazhon votuesit: Na votoni, ose e paralizojmë vendin

Pas vendosjes së masës së sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj saj, kryeministri Edi Rama deklaroi se ajo jetonte me qira.

“Linda Karçanaj, e cila sot është në masë sigurie në një shtëpi me qira, ku jeton pasi ka jetuar deri pak vite më parë në shtëpinë e prindërve, në një apartament që ishte i kohës së komunizmit,” pretendoi Rama në fund të vitit të kaluar.

Ndërkohë, mes aseteve të sekuestruara nga biznesmeni Ermal Beqiraj është edhe jahti “Skyfall”.

SPAK bëri të ditur se operacioni u realizua në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale dhe për konfiskimin përfundimtar të pasurive. /Reporter.al

YouTube player