Lajme

Vitia thotë se kanë nisur negociatat për sigurimin e dozës së tretë të vaksinës

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka deklaruar se virusi nuk do të zhduket dhe se pret që do të ketë edhe valë të tjera të përhapjes së pandemisë. Ai ka njoftuar se kanë filluar negociatat për sigurimin e dozës së tretë të vaksinës, në rast se do të jetë nevoja për një shpërndarje të tillë. Vitia ka bërë të ditur që nga java e ardhshme do të rekrutohen mbi 400 profesionistë shëndetësorë. Pas datës 13 shtator, ai ka theksuar se punonjësit në sektorin publik nuk do të lejohen të hyjnë brenda institucioneve pa certifikatën e vaksinimit ose testin PCR.

Pas vendimit për masat e reja anti-COVID, ministri Arben Vitia në një konferencë për media, u zotua se Kosova ani pse filloi vaksinimin shumë vonë, tanimë ka kaluar disa vende në ballkan me përqindje të vaksinimit.

“Jemi vendi që në javë po vaksinon më shumë se të gjithë fqinjët e rajonit. Duke vazhduar me këtë ritëm, në fund të vitit do të tejkalojmë synimin tonë për vaksinimin e 60 për qind të qytetarëve. Kjo do të parandalojë valët tjera dhe dhimbjen me të cilën po përballemi edhe në këtë valë. Është e domosdoshme që të mos vuani ju dhe familje tuaja, që të mos mbyllet ekonomia, që të mos mbesin fëmijët pa shkuar në shkolla. Ky virus do të na shoqërojë edhe për një kohë të gjatë, por vaksinimi na mbron prej tij. Megjithatë, kemi parë që në disa vende përkundër vaksinimit masiv të qytetarëve, efekti mbrojtës i vaksinave duket se është diku rreth 7-8 muaj, pavarësisht se nuk ka akoma studime të qëndrueshme në këtë drejtim”, ka deklaruar Vitia.

Ai në konferencë për media ka thënë se si qeveri kanë filluar negociatat për të siguruar edhe dozën e tretë të vaksinës, nëse paraqitet nevoja.

Lexo më shumë  Miratimi i buxhetit 2025, Kurti: Ky buxhet është i qytetarëve dhe për qytetarët

“Prandaj ne si qeveri qysh tashmë jemi bërë gati për të negociuar dhe siguruar edhe dozën e tretë që ta kemi në kohë të gatshëm nëse paraqitet nevoja. Çfarë do masa që do të ndërmarrim, do të ketë me siguri edhe valë tjera të pandemisë. Këtë natyrisht nuk e them unë, por e thonë virologët dhe epidimiologët. Prandaj, të nderuar qytetarë vetëm vaksinimi na shpëton”, ka shtuar ai.

Vitiaka shtuar se institucionet shëndetësore nuk janë në gjendje të mirë. Megjithatë, ka përmendur masat që kanë marrë në riorganizimin e klinikave dhe sigurimin me barna.

“Janë identifikuar e tani më janë shtuar kapacitet e shtretërve në një mijë e 600. Është funksionalizuar oksigjenimi qendror në disa klinika të QKUK-së, në spitalin e Pejës, të Gjakovës, Mitrovicës dhe Gjilanit. Javën e ardshme e njëjta do të bëhet në spitalin e Vushtrrisë. Kemi mjaftueshëm pajisje mbrojtëse personale, teste të mjaftueshme dhe një pjesë të mirë të barnave në dispozicion… Nga dje ka filluar shpërndarja e barnave nga lista esenciale dhe brenda ditësh ky furnizim do të jetë mbi 90 për qind të kësaj liste në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor, shumë më herët që kemi premtuar dhe menduar fillimisht”, ka shtuar ai.

Më tej, derisa ka folur për stafin shëndetësor ka thënë se shtesat mbi pagën bazë nuk janë të mjaftueshme. Ai theksoi se të njëjtit ka vjet që nuk kanë paga të dinjitetshme. Megjithatë, premtoi se një gjë e tillë do të rregullohet shpejt me Ligjin për Paga në Sektorin Publik.

Arben Vitia ka deklaruar se nga java e ardhshme do të rekrutojnë mbi 400 punëtorë shëndetësorë në ekipet e vaksinimit.

“Nga java e ardhshme, përveç mbi 400 punëtorëve shëndetësorë në ekipet e vaksinimit që kemi bërë në qershorin e këtij viti, do të fillojnë punën edhe mbi 1100 të tjerë staf mbështetës, si mjek, infermierë, e të tjerë. Në javën që po vjen bazuar me mungesat evidente të stafit në kujdesin parësor shëndetësor do të rekrutojmë edhe mbi 400 personel shëndetësor shtesë. Dhe në total do të jenë rreth 2 mijë punëtorë shëndetësorë përfshirë edhe ekipet e vaksinimit”, deklaroi ai.

Lexo më shumë  Murati: Gjithsej 3.6 miliardë euro do të jenë në dispozicion për mbështetje të punëtorëve, familjeve, bizneseve, e sektorëve të tjerë strategjikë

Sipas tij, pas datës 13 shtator, punonjësit e institucioneve publike dhe ndërmarrjeve publike, duhet të posedojnë certifikatën e vaksinimit apo testet përkatëse në mënyrë që t’iu lejohet hyrja në ambientet e punës.

“Pas datës 13 shtator, punonjësit e institucioneve publike dhe ndërmarrjeve publike, duhet të posedojnë certifikatën e vaksinimit apo testet përkatëse në mënyrë që t’iu lejohet hyrja në ambientet e punës. Kjo masë do të përfshijë edhe shumë sfera të tjera të jetës ekonomike dhe sociale”, ka shtuar Vitia në konferencë për media.

Ndërsa, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci pas shtyrjes së fillimit të vitit të ri shkollor për datën 13 shtator, ka thënë se të gjitha përgatitjet janë bërë nga shkollat dhe drejtoritë komunale të arsimit. Ajo ka njoftuar se mbi 72 për qind e mësimdhënësve dhe stafit administraitv janë vaksinuar.

“Ju njoftoj se sipas të dhënave të drejtorive komunale të arsimit, deri më datën 25 të këtij muaji, jemi njoftuar se më shumë se 72,30 për qind të mësimdhënësve dhe të stafit të tjerë administrativ dhe stafit tjetër mbështetës në shkolla janë vaksinuar tashmë. Prej tyre 34,32 për qind kanë qenë të vaksinuar me dy dozat, ndërsa të tjerët vec e kanë përcaktuar terminin për vaksinim. Kjo tashmë nuk mjafton”, ka deklaruar Nagavci.

Ministri Arben Vitia u ka bërë thirrje edhe bashkëatdhetarëve që të vaksinohen, kërkesë kjo edhe profesionistët shëndetësorë në vendet përkatëse.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *