Bota

5 presidentë, 5 strategji: Luftërat amerikane në Afganistan

Nga Lufta e Ftohtë te lufta ndaj terrorit, këto janë strategjitë e pesë presidentëve amerikanë, përpjekjet e të cilëve nuk mundën të sillnin një fitore përfundimtare të Shteteve të Bashkuara në Afganistan.

Në vitin 1979, Bashkimi Sovjetik, i përfshirë në Luftën e Ftohtë me Shtetet e Bashkuara, pushtoi Afganistanin. Pasi pësuan humbje në Vietnamin e mbështetur nga sovjetikët, amerikanët vendosën të financonin dhe armatosnin në fshehtësi militantët afganë, ose muxhahedinët, që luftonin me sovjetikët, me miratimin dhe vlerësimin e presidentit Ronald Reagan.

Në vitin 1988, sovjetikët nisën tërheqjen nga Afganistani. Kjo ishte fitore për Shtetet e Bashkuara.

“Pas gati 9 vitesh të gjatë lufte, guximi dhe vendosmëria e popullit afgan dhe luftëtarëve të lirisë, nuk janë lëkundur, dhe sot, fundi i pushtimit është pranë”, Ronald Reagan, president i SHBA, 1988

Pasi sovjetikët më në fund u larguan, në vitin 1989, interesi amerikan në Afganistan ra dhe vendi shumë shpejt u përfshi nga një konflikt mes qeverisë komuniste të dobësuar dhe një grupi baronësh lufte… E për më tepër, Shtetet e Bashkuara kishin lënë pas një grup ndërkombëtar xhihadistësh, të armatosur dhe stërvitur mirë.

Mes tyre, ishte edhe Osama bin Laden…

Pas luftës civile në vitet 1990, Talebanët, në aleancë me Al Qaeda-n, morën kontrollin e Afganistanit.

Më pas, më 11 shtator 2001, Al Qaeda sulmoi Shtetet e Bashkuara…

Presidenti Bush u dha një ultimatum Talebanëve

“Mbyllni menjëherë dhe përgjithmonë çdo kamp trajnimi të terroristëve në Afganistan dhe dorëzoni çdo terrorist”, George W Bush, president i SHBA, 2001

Refuzimi i Talebanëve i dha udhë një lufte të udhëhequr nga NATO, për të gjetur udhëheqësit e Al Qaeda-s që kishin orkestruar sulmet e 11 Shtatorit.

“Sipas urdhrave të mi, ushtria e Shteteve të Bashkuara ka nisur të sulmojë kampet stërvitore të terroristëve të Al Qaeda-s, dhe godina ushtarake të regjimit të Talebanëve në Afganistan”, George W Bush, president i SHBA, 2001

Brenda pak javësh, ata kishin marrë kontrollin e vendit. Por edhe pse pushtimi i largoi për 2 muaj Talebanët, shumë shpejt u bë e qartë që lufta nuk kishte mbaruar. Forcat amerikane u përballën me bomba të improvizuara dhe sulme guerile në të gjitha pikat e ngritura prej tyre në të gjithë vendin.

Lexo më shumë  Merkeli shpreh shqetësim të madh për rolin e Muskut në administratën Trump

Në vitin 2009, presidenti Obama urdhëroi shtimin e trupave amerikane, një valë me 30 mijë ushtarë vërshoi në pikat e nxehta të Afganistanit, duke fituar terren në një mënyrë që do të kishte qenë e pamundur më parë.

“Sikurse edhe në Irak, këto trupa do të qëndrojnë aty përkohësisht për të rritur kapacitetet shtetndërtuese të Afganistanit, dhe për të siguruar të ardhmen e tyre”, Barack Obama, president i SHBA, 2010

Por edhe pse amerikanët pretenduan fitoren, në terren gjërat ishin ndryshe. Kritikët thanë se koha e shkurtër e vendosur në dispozicion të ushtarëve nga Obama ndikoi në efikasitetin aksionit.

Por, dhjetë vite pasi lufta në Afganistan kishte nisur, Shtetet e Bashkuara arritën të realizonin një prej objektivave kryesorë, forcat NAVY Seals u futën brenda godinës ku Bin Laden fshihej në Pakistan dhe e vranë.

“Shtetet e Bashkuara kanë realizuar një operacion në të cilin është vrarë Osama bin Laden, lideri i Al Qaeda-s”, Barack Obama, president i SHBA, 2011

Trump mbajti një qëndrim ndryshe nga Obama, duke rritur përfshirjen ushtarake amerikane. SHBA shtoi sulmet ajrore mbi Afganistan, mes të cilave iështe edhe hedhja e bombës më të madhe jobërthamore, kundër luftëtarëve të ISIS.

Por pavarësisht kësaj, ushtria e Talebanëve qëndronte në këbë. E pas 17 vitesh luftime, Talebanët kishin në kontroll, ose po luftonin për të marrë në kontroll, rreth 65-70% të territorit të vendit.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Më në fund, erdhi edhe kthesa amerikane, pasi u bënë përpjekje për ta mbyllur përmes negociatave luftën me Talebanët. Në një marrëveshje historike, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe të Talebanëve ranë dakord për një tërheqje të plotë ushtarake amerikane, deri në 1 maj 2021.

“Talebanët kanë bërë një zotim shumë të fortë, dhe do të shohim si do të shkojë. Shpresojmë të shkojë shumë mirë”, Donald Trump, president i SHBA, 2020

Bisedimet mes Talebanëve dhe qeveritarëve afganë u zvarritën pa sukses.

Kur detyrën e mori presidenti Biden, situata dukej e zymtë. Kur ishte zv.president, Biden besonte se shtimi i trupave nuk ishte zgjidhje për të siguruar fitoren në Afganistan.

Si president, ai deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqeshin plotësisht brenda 11 shtatorit 2021, 20 vite pas rënies së Kullave Binjake.

“Unë jam tashmë i katërti president amerikan që shoh praninë e trupave amerikane në Afganistan. Nuk kam ndërmend t’ia kaloj këtë pergjegësi një të pesti”, Joe Biden, president i SHBA, 14 prill 2021

Deri në korrik 2021, Shtetet e Bashkuara kishin tërhequr thuajse të gjitha trupat nga Afganistani, duke i hapur kështu rrugën Talebanëve që të përballeshin me forcat afgane të sigurisë, të cilat në pjesën më të madhe të rasteve u dorëzuan pa luftuar.

Talebanët fituan gjithmonë e më shumë terren, dhe më 15 gusht arritën të merrnin Kabulin, kryeqytetin e Afganistanit, pasi presidenti Ashraf Ghani arratisej nga vendi.

“Do të vijojmë të mbështesim popullin afgan. Të drejtat e njeriut duhet të jenë në qendër të politikës sonë të jashtme. Mënyra për ta bërë këtë nuk është përmes dërgesave të pafundme të ushtarëve, por me diplomaci”, Joe Biden, president i SHBA, 16 gusht 2021

E ardhmja e Afganistanit nën sundimin Taleban është, edhe një herë, e pa sigurt.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *