KryesoreLajme

Miratohet në Komisionin për Legjislacion, Projektligji për Byronë për Konfiskimin dhe Sekuestrimin e Pasurisë së Pajustifikueshme

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për Byronë për Konfiskimin dhe Sekuestrimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke i hapur rrugë procedimit të mëtejmë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Para anëtarëve të Komisionit për Legjislacion, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, theksoi rëndësinë e këtij projektligji si një ndër mekanizmat kyç në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit.
“Përmes këtij projektligji vendosim një standard të qartë dhe të pakontestueshëm që nuk do të ketë tolerancë ndaj pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme e të pajustifikueshme ndërsa qeverisja e përgjegjshme dhe transparenca nuk janë opsionale por detyrë shtetërore. Byroja shtetërore është garanci e pa kompromis për drejtësi, integritet dhe besim të pakushtëzuar të çdo qytetari të Republikës së Kosovës”, tha Ministrja Gërvalla.
Tutje ajo potencoi që ky ligj shkon përtej një mandati qeveritar dhe përtej një partie politike andaj sipas saj është e rëndësishme që deputetët e Kuvendit ta miratojnë atë si garanci e prekshme për qytetarët dhe reformën në drejtësi.
Ministrja Gërvalla po ashtu sqaroi gjithashtu rolin dhe funksionimin e Byrosë, duke theksuar se ajo nuk merr vendime për konfiskim.
“Byroja nuk konfiskon. Ajo mbledh, verifikon dhe analizon informacionin, ndërsa vendimi për konfiskim merret nga gjykata. Procedurat iniciohen mbi bazë të informatave të besueshme dhe fokusi është te mospërputhjet substanciale financiare”, u shpreh ajo.
Sipas Ministres Gërvalla, ky projektligj garanton të drejtat e palëve në çdo fazë të procedurës, përfshirë qasjen në dokumentacion, të drejtën për t’u dëgjuar, përfaqësimin dhe mjetet juridike.
Në fund, Gërvalla u bëri thirrje anëtarëve të Komisionit dhe deputetëve që të mbështesin këtë projektligj në fazat e mëtejme.
“Çdo pasuri e pajustifikueshme, e krijuar në mospërputhje me të ardhurat e ligjshme, përmes mekanizmave kushtetues dhe ligjor do të rikthehet tek shteti dhe qytetarët. Ky projektligj vendos një standard të qartë se nuk do të ketë tolerancë ndaj pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme”, përfundoi ajo.

Lexo më shumë  Monument kulture, çahet ura 230-vjeçare e Zerzebilit në Gjirokastër

Rruga Press

YouTube player