KryesoreLajme

Inflacioni në Shqipëri/ Në mars 2,6%, çmimet dhe transporti u rritën me 7,5%

Inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve për një shportë të caktuar të mallrave të konsumit  gjatë muajit mars shënoi një rritje modeste prej 0,1% krahasuar me muajin shkurt.

Ndërsa norma e inflacionit vjetor arriti 2,6%, nga 2,1% një vit më parë.

Sipas raportit të publikuar sot nga Instituti i Statistikave (INSTAT), rritja më e dukshme u regjistrua tek transporti, ku çmimet u rritën me 7,5%, duke ndikuar ndjeshëm në indeksin vjetor të çmimeve.

Rritje shënoi edhe grupi “qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 4,8%.

Lexo më shumë  ‘Na subvencionojnë 7 herë më pak se rajoni’/ Blegtorët dhe fermerët protestë para Ministrisë së Bujqësisë në Tiranë

Edhe sigurimet dhe shërbimet financiare u rritën me 4,5%, ndërsa argëtimi, sporti dhe kultura u shtrenjtuan me 2,9%.

Çmimet e mobiljeve dhe pajisjeve të shtëpisë u rritën me 2,6%, ndërsa restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 2,4%.

Pijet alkoolike dhe duhani, si dhe kujdesi personal dhe mallrat e ndryshme, shënuan rritje me 2% secili.

Referuar të dhënave shërbimi arsimor u rrit me 1,9%, ndërsa ushqimet dhe pijet joalkoolike vetëm me 1,3%.

Krahasuar me muajin shkurt, rritja më e madhe u regjistrua tek transporti, me 7,1%, pasuar nga grupi “ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,7%. Kjo rritje lidhet me pasigurinë në tregjet energjetike pas konfliktit në Iran, i cili ka ndikuar në furnizimin global me naftë dhe karburante.

Lexo më shumë  Bien çmimet e naftës pas marrëveshjes së armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit

Duke filluar nga shkurti i këtij viti, Indeksi i Çmimeve të Konsumit përllogaritet sipas klasifikimit ECOICOP 2018. Kalimi në klasifikimin e ri përfshin ristrukturimin e artikujve të shportës dhe riklasifikimin e disa produkteve. 

Rruga Press

YouTube player