KryesoreLajme

Qeveria e Kosovës ndan buxhet për Luginën, vendimi mirëpritet në Preshevë

Përfaqësuesit shqiptarë nga Lugina e Preshevës kanë përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës që edhe këtë vit ndau buxhet për mbështetjen financiare të shqiptarëve që jetojnë nën administrimin e Serbisë, duke kërkuar njëkohësisht nga Beogradi që të mos vendosë pengesa për realizimin e këtij vendimi.

Shaip Kamberi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik dhe deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, tha se vendimi i Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës është i mirëpritur dhe i domosdoshëm.

Ai vlerësoi se mbështetja për tekstet shkollore në gjuhën shqipe, projektet kulturore dhe arsimore, si dhe për të rinjtë, është thelbësore për ruajtjen e identitetit dhe ndërtimin e së ardhmes.

“Falënderoj Qeverinë e Republikës së Kosovës për këtë përkushtim të qartë dhe të qëndrueshëm institucional. Njëkohësisht, mbetet e rëndësishme që institucionet e Serbisë të mos pengojnë zbatimin e këtij vendimi dhe që mjetet të arrijnë pa barriera te Këshilli Kombëtar Shqiptar”, tha ai.

Bashkësia ndërkombëtare, sipas tij, duhet të ketë rol shumë më aktiv. “Angazhimi ynë vazhdon për barazi, përfaqësim dhe të drejta të plota”, shtoi Kamberi.

Edhe Enkel Rexhepi, kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, e vlerësoi vendimin si një hap të rëndësishëm për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe zhvillimin arsimor të komunitetit.

Lexo më shumë  Ish-zyrtarja e OSBE-së, Jelena Gjukanoviq në gjyq, mësohet se si spiunonte tek BIA

Ai theksoi se mbështetja financiare nuk është vetëm një ndërhyrje ekonomike, por një investim në të ardhmen e të rinjve.

“Si kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, e konsideroj këtë vendim hap të rëndësishëm drejt forcimit institucional të Këshillit dhe rritjes së kapaciteteve tona për t’u shërbyer qytetarëve”, tha Rexhepi, duke theksuar gjithashtu rëndësinë që institucionet e Serbisë të mos vendosin barriera në realizimin e vendimit.

Ndërkohë, Ardita Sinani, kryetare e Komunës së Preshevës, e cilësoi mbështetjen financiare të Qeverisë së Kosovës si një lajm të mirë për secilin nxënës, për çdo të ri dhe çdo familje në Preshevë.

“Është një paketë konkrete programesh në arsim, kulturë dhe zhvillim socio-ekonomik, që prek drejtpërdrejt jetën tonë të përditshme. Tekste shkollore në gjuhën shqipe për nxënësit tanë, mbështetje për aktivitetet kulturore dhe arsimore, mundësi më shumë për të rinjtë tanë që të ndërtojnë të ardhmen këtu. E mirëpres këtë vendim dhe e shoh si një mbështetje konkrete për qytetarët tanë dhe për punën që bëjmë çdo ditë në shërbim të tyre”, tha Sinani, duke shtuar se mbetet e domosdoshme që institucionet e Serbisë të lejojnë zbatimin e vendimit pa pengesa dhe që mjetet të arrijnë te Këshilli Kombëtar Shqiptar.

Lexo më shumë  Spitali i Shkodrës transformohet vetëm në Facebook, në realitet pacientët presin në korridor

Të gjithë liderët shqiptarë të Luginës së Preshevës theksuan se mbështetja e Qeverisë së Kosovës për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën nuk është vetëm një obligim moral, por edhe një politikë e strukturuar dhe e qëndrueshme institucionale, që kontribuon në ruajtjen e identitetit dhe përmirësimin e jetës së komunitetit shqiptar jashtë kufijve.

Kujtojmë se sot, Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 03.04.2026, ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për Luginën e Preshevës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky vendim përfaqëson angazhimin e qëndrueshëm të Republikës së Kosovës për mbështetjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Ky vendim përfaqëson angazhimin e qëndrueshëm të Republikës së Kosovës për mbështetjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës përmes një pakete konkrete që adreson nevojat jetike të qytetarëve atje. Ky nuk është vetëm një vendim, por një përgjegjësi shtetërore”, tha Kurti, pa treguar se sa do të jetë shuma e ndarë për shqiptarët atje.

Qeveria kishte planifikuar që për këtë vit të ndante 4 milionë euro për Luginën e Preshevës dhe Sanxhakun.

YouTube player