Trump: Ikim nga Irani pas 2 javësh, ata nuk do kenë armë bërthamore, qëllimi u arrit
Shtetet e Bashkuara do të largohen nga Irani brenda dy ose tre javësh. Ky ishte afati që vendosi presidenti amerikan Donald Trump për fundin e luftës në një prononcim për gazetarët nga zyra e tij Ovale.
“Kemi pasur ndryshim regjimi, edhe pse nuk ishte një nga gjërat që kisha si qëllim. Kisha një qëllim: ata nuk do të kenë armë bërthamore dhe ky qëllim është arritur. Por ne po e përfundojmë punën dhe mendoj se brenda ndoshta dy javësh, ndoshta disa ditësh më shumë, do të kemi përfunduar, por ne duam të shkatërrojmë çdo gjë që ata kanë”, Trump.
Pas kësaj deklarate, Kreu i Shtëpisë së Bardhë bëri një status në Truth Social ku shkroi se presidenti i ri i regjimit të Iranit iu kishte kërkuar Shteteve të Bashkuara një armëpushim. Trump vijoi statusin e tij duke thënë se kjo kërkesë do të shqyrtohej kur Ngushtica e Hormuzit të ishte e hapur dhe e lirë, ndërsa tha se deri atëherë, Ushtria Amerikane do të vijojë të hedhë Iranin në erë.
Garda Revolucionare Islamike lëshoi po ashtu një deklaratë pasditen e kësaj të mërkure duke thënë se Ngushtica e Hormuzit nuk do të hapej për armiqtë e Teheranit. Presidenti amerikan Donald Trump ishte shprehur se udhëheqësit e rinj në Teheran janë shumë më pak të radikalizuar dhe më racionalë krahasuar me paraardhësit e tyre. Sipas Trump, është Irani që kërkon një marrëveshje, ndonëse Teherani i ka mohuar këto pretendime.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka deklaruar se lufta mund të përfundojë edhe pa marrëveshje mes palëve. Lidhur me ndikimin e luftës në rritjen e çmimeve të karburantit, kreu i Shtëpisë së Bardhë përsëriti se ato do të ulen sapo Shtetet e Bashkuara të përfundojnë veprimet e tyre ushtarake.
Marco Rubio, sekretari i shtetit, përsëriti afatin kohor të Trump për luftën, duke i thënë Fox News se “vija e finishit” ishte afër.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Donald Trump i drejtohet mbrëmjen e kësaj të mërkure kombit. Gjatë kësaj deklarate, presidenti amerikan pritet të japë një njoftim të rëndësishëm në lidhje me luftën në Iran, por detajet nuk janë njoftuar ende.
Rruga Press

