Lajme

Bardhi: Negociatat me BE kanë ngecur sepse Rama po mbron Ballukun

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se negociatat me BE-në kanë ngecur për shkak se ai mbron korrupsionin.

Bardhi, në rrjetet sociale, i drejton dy pyetje kryeministrit Rama, duke theksuar se rasti i Belinda Ballukut e ka nxjerrë atë zbuluar.

“A ka lidhje ngecja e negociatave me mbrojtjen personale që Edi Rama i bëri Belinda Ballukut, duke zvarritur dhe duke penguar drejtësinë të hetojë korrupsionin në paradhomën e tij?

A ka lidhje ngecja e negociatave me presionin e kryeministrit ndaj drejtësisë dhe nismat e tij antidemokratike për të ndaluar drejtësinë të shkojë deri tek kryeministri?” – shkruan mes të tjerash Bardhi.

Postimi i plotë: 

E VËRTETA QË EDI RAMA FSHEH PËR NEGOCIATAT

Edi Rama dhe kryenegociatorja folën sot gjatë për negociatat, por nuk përmendën askund të vërtetën e madhe: negociatat kanë ngecur, sepse Edi Rama ka zgjedhur të mbrojë korrupsionin.

Lexo më shumë  Qeveria Kurti ndan pagën e 13-të

Nga vendet anëtare akoma nuk ka asnjë vendim që të miratojë ecurinë e deritanishme të reformave dhe, pa këtë miratim, ne nuk mbyllim dot asnjë kapitull dhe jo më të realizojmë ambicien për t’u anëtarësuar brenda 4 viteve të ardhshme, siç ka premtuar Kryeministri.

Sot Edi Ramës nuk i takonte të sillej si drejtor drejtorie i Ministrisë së Bujqësisë. As të fshihej pas punës teknike të kryenegociatores. Apo akoma më keq, të linte përgjegjësinë e “sqarimit” të vendeve anëtare tek tre ministra të tij.

Edi Rama duhej të sillej si kryeministër dhe t’u thoshte shqiptarëve pse Mali i Zi po përparon shpejt me negociatat e anëtarësimit, ndërsa Shqipëria ka mbetur në vendnumëro.

Edi Rama duhet t’u japë përgjigje dy pyetjeve të thjeshta:

A ka lidhje ngecja e negociatave me mbrojtjen personale që Edi Rama i bëri Belinda Ballukut, duke zvarritur dhe duke penguar drejtësinë të hetojë korrupsionin në paradhomën e tij?
A ka lidhje ngecja e negociatave me presionin e kryeministrit ndaj drejtësisë dhe nismat e tij antidemokratike për të ndaluar drejtësinë të shkojë deri tek kryeministri?

Lexo më shumë  Protestuesit e Rrjollit para Kuvendit të Shqipërisë: Nuk mund të lejojmë të na grabiten tokat

Anëtarësimi në BE nuk është çështje procedurash teknike. Nuk është çështje reformash në letër. Është çështje e zbatimit të reformave dhe e besimit mes palëve. E sigurt është se besimi nuk ndërtohet duke penguar hetimin e korrupsionit me votën e mazhorancës në Parlament.

Rasti i Belinda Ballukut e ka nxjerrë krejt zbuluar Edi Ramën. Kur ai duhet të zgjidhte Europën, kryeministri nën shantazh zgjodhi të mbrojë veten!

Nëse nesër do të dëgjoni nga Edi Rama ose vartësit e tij se problemi është Europa, mos u besoni!

Problemi i vërtetë i Shqipërisë është Edi Rama!

Rruga Press

YouTube player