Lajme

Hakmarrje për misrin serb kancerogjen – Serbia bllokon kamionët me fruta-perime nga Shqipëria

Duket se një përplasje e fortë ka shpërthyer mes Tiranës dhe Beogradit. Si kundërpërgjigje ndaj bllokimit të misrit serb me aflatoksinë nga autoritetet shqiptare, Serbia ka ndërmarrë një lëvizje goditëse: bllokimin e menjëhershëm të rreth 20 kamionëve me fruta dhe perime që vinin nga Shqipëria.

Eksportuesit shqiptarë po përballen me një situatë të paprecedentë në pikat doganore serbe. Autoritetet atje kanë refuzuar të njohin certifikatat e analizave të kryera në laboratorët e Shqipërisë, duke vendosur që çdo paletë e ngarkuar t’i nënshtrohet testimeve të reja në territorin serb. Kjo procedurë, e cila kërkon të paktën 2 deri në 3 ditë pritje, është vdekjeprurëse për produktet që prishen shpejt si trangulli, lakra, sallata dhe kungulli.

Lexo më shumë  Ish-zëdhënësi i NATO-s: Përdorimi i forcës ishte i domosdoshëm për të shpëtuar jetët e qytetarëve të Kosovës

“Kam dy kamionë të bllokuar, vlera e tyre shkon në 40 mijë euro. Kanë vendosur të marrin analiza për çdo paletë dhe jo vetëm për kamionin në fund. Malli nuk lëviz deri sa të dalë rezultati,” shprehet i dëshpëruar një nga eksportuesit e prekur.

Ajo që i shqetëson më shumë tregtarët nuk është vetëm vonesa, por paralajmërimi i prerë i palës serbe: nëse analizat rezultojnë me mbetje pesticidesh sipas standardeve të tyre, malli do të asgjësohet (groposet) menjëherë. Eksportuesit shqiptarë hedhin dyshime se ky është një proces i njëanshëm ku pala serbe “do të nxjerrë rezultatin që dëshiron” për të legjitimuar bllokadën ekonomike.

Lexo më shumë  Policia serbe arreston 4 shtetas nga Shqipëria

Efekti zinxhir i kësaj “lufte” po godet direkt fermerin shqiptar. Magazinat e grumbullimit janë mbushur me perime që nuk kanë ku të shkojnë, ndërsa eksportuesit paralajmërojnë masa drastike. Nëse shteti shqiptar nuk ndërhyn për të rregulluar situatën me rrugë diplomatike, pikat e grumbullimit do të mbyllen, duke lënë prodhimin e mijëra fermerëve të kalbet në fushë. Pa eksport, i gjithë zinxhiri prodhues në Shqipëri rrezikon të shkojë drejt një kolapsi të pariparueshëm financiar./JOQ Albania

Rruga Press

YouTube player