Kurti: Fushata bombarduese e NATO-s ndaloi gjenocidin e spastrimin etnik
Kryeministri, Albin Kurti ka kujtuar 27 vjetorin e nisjes së fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi, fushatë që thotë se e ndaloi gjenocidin dhe spastrimin etnik që shteti pushtues i Serbisë po e kryente ndaj shqiptarëve vendas në Kosovë.
“Më 24 mars 1999, forcat ajrore të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), të prira nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nisën Operacionin Forca Aleate, duke i bombarduar nga ajri forcat ushtarake dhe policore të Jugosllavisë dhe infrastrukturën e tyre. Kjo fushatë erdhi më shumë se një vit pas fillimit të luftës në Kosovë dhe një ditë pasi u bë e qartë përfundimisht, që Serbia e drejtuar nga Kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviqi, nuk do të pranonte asnjë ultimatum për të ndaluar operacionet ushtarake dhe policore në Kosovë kundër popullsisë civile dhe për të tërhequr forcat nga Kosova dhe se nuk do të pranonte asgjë nga ofertat diplomatike për zgjidhje politike të çështjes së Kosovës”.
Kryeqeveritari derisa ka cituar fjalët e presidentit të asaj kohe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton kur kishte urdhëruar nisjen e sulmeve nga ajri, tha se përtej pritjeve dhe parashikimeve, Jugosllavia e Serbisë së Millosheviqit nuk u dorëzua edhe për gati tre muaj.
“Kështu, 19 shtete anëtare të NATO-s e bombarduan Jugosllavinë për 78 ditë dhe netë, deri më 10 qershor kur Marrëveshja Teknike Ushtarake e nënshkruar në Kumanovë, i dha fund luftës në Kosovë”.
Fatkeqësisht, thotë Kurti, pikërisht gjatë atyre ditëve, Serbia i intensifikoi veprimet në terren për ta realizuar planin “Patkoi” për spastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët, duke dëbuar mbi 860 mijë shqiptarë nga Kosova dhe zhvendosur rreth gjysmë milioni të tjerë brenda saj.
“Vetëm gjatë muajit prill të vitit 1999, shteti i Serbisë, përmes forcave të armatosura policore dhe ushtarake, vrau mbi 4000 civilë shqiptarë. Shumë prej tyre ishin viktima të masakrave të ekzekutuara gjithandej Kosovës, kurse jo pak prej tyre ende janë të zhdukur”.
Kryeministri thotë se, tragjedia e popullit të Kosovës e shtrirë ndër dekada, por e kulmuar në luftën e viteve 1998 dhe 1999, e sensiblizoi botën demokratike perëndimore dhe e vuri në lëvizje aleancën më të madhe ushtarake në histori, NATO-n, për të ndërhyrë ushtarakisht me qëllim të ndalimit të gjenocidit, spastrimit etnik dhe krimeve të tjera shtetërore të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë.
“Duke e pasuar luftën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, fushata bombarduese e NATO-s mbi Jugosllavi dhe hyrja e trupave të saj pastaj në Kosovë në qershor të vitit 1999, e solli lirinë e Kosovës. Kjo i hapi rrugë ndërtimit të demokracisë dhe shtetndërtimit të Republikës së Kosovës”, thotë ai.
Kurti thotë se me mirënjohje kujton ndihmën e jashtëzakonshme të të gjitha vendeve të NATO-s, veçanërisht rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rrugën e popullit të Kosovës për liri me demokraci dhe shtetndërtim me integrim.
Rruga Press

