Lajme

Sulm kibernetik në sistemin e IT në Kuvendin e Shqipërisë, e-mailet publikohen nga Homeland Justice

Administrata e Kuvendit të Shqipërisë ditën e sotme është përballur me një sulm kibernetik në sistemin IT. Burime bëjnë me dije se administrata dhe deputetët, që prej mëngjesit të sotëm, nuk kanë pasur akses në kompjuterët dhe adresat e emailit.

Mësohet se e-mailet e tyre janë publikuar në faqen e grupit të hakerimit, Homeland Justice, në Telegram.

“Të gjitha bisedat dhe korrespondenca e anëtarëve të korruptuar të Kuvendit gjatë muajve të fundit janë në duart e Homeland Justice. Ne jemi shumë më afër jush sesa mendoni. A i keni strehuar vërtetë ata vrasës dhe vrasës fëmijësh? Ne do të sigurohemi që kjo turp të mbetet me ju përgjithmonë”, thuhet në faqen zyrtare të Homeland Justice në Telegram.

Përveç publikimit në Telegram, burimet bëjnë me dije se në adresat e disa prej anëtarëve të administratës së Kuvendit, në emailin zyrtar, është dërguar një email nga hakerat, i cili dyshohet se është dërguar nga një individ jo i vërtetë.

Lexo më shumë  Ardita Sinani shkon në ambasadën e ShBA-së në Beograd: Diskutuam çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve dhe të tjera

“Ju paskan dalë gjithë emailet e Parlamentit te Homeland Justice. O Parlament, me sigurinë tuaj të dështuar, bashkë me pseudo-punëtorët tuaj që punësoni kushurinj dhe bëni qoka. Shëndeti, të tjerat vihen… bravo”, shkruhet në mesazh.

Ndërkohë, disa deputetëve u është dërguar në adresat e tyre të email-it një njoftim që u kërkohet të mos klikojnë link-et ose skedarët bashkangjitur, pasi sipas tyre përbëjnë rrezik.

“Ky email vjen nga jashtë institucionit të Kuvendit të Shqipërisë. Ju lutemi, mos i klikoni link-et ose skedarët bashkangjitur, përveç rasteve kur e njihni burimin e emailit dhe e dini që përmbajtja është e sigurt”, thuhet në mesazh.

Sipas vlerësimit të deritanishëm, burime nga Kuvendi bëjnë me dije se deri më tani nuk ka pasur transportim të të dhënave nga sulmi kibernetik ndaj emaileve dhe kompjuterëve të administratës së Kuvendit dhe deputetëve. Megjithatë, vlerësimi përfundimtar do të jetë ai që do ta përcaktojë këtë.

Lexo më shumë  Raporti i Bankës Botërore: Punësimi në Shqipëri s’bazohet në meritë! Talentet nuk shpërblehen në administratën publike

Në lidhje me këtë sulm kibernetik ka reaguar edhe Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.

Në reagim njoftohet se Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka ngritur grupin e punës për analizimin e rastit dhe ekipet ndodhen në terren duke kryer analizën teknike.

“Gjatë ditës së sotme është raportuar një sulm kibernetik që lidhet me postën elektronike të Kuvendit të Shqipërisë. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka ngritur grupin e punës për analizimin e rastit dhe ekipet ndodhen në terren duke kryer analizën teknike, si dhe duke ndërmarrë hapat e nevojshëm lidhur me këtë situatë. Informacione të mëtejshme do të bëhen publike pas përfundimit të vlerësimit teknik”, thuhet në njoftim.

Rruga Press

YouTube player