Hoti: Gjatë këtij viti, Ligji për statusin e veteranëve do t’i nënshtrohet vlerësimit
Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka listuar projektligjet që do të procedohen këtë vit, bashkë me ligjet që parashikohet t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit.
Përmes një njoftimi, Hoti u shpreh se këto ligje dhe projektligje prekin drejtpërdrejt kategoritë më të ndjeshme dhe shtyllat kryesore të drejtësisë sociale në vend.
Në mesin e projektligjeve për procedim është ai për skemën e ndihmës sociale, për personat e zhdukur, për punën, sigurinë dhe shëndetin në punë.
“Vlerësimi ex-post ka për qëllim të analizojë zbatimin praktik të ligjeve, efektet e tyre në terren, si dhe nevojën eventuale për ndryshime apo plotësime” deklaroi Hoti.
Ai po ashtu bëri me dije se ligjet që gjatë këtij viti do t’i nënshtrohen vlerësimit janë: Luigji për skemat pensionale, Ligji për veteranët e luftës së UÇK-së, si dhe ai për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre.
Ky është njoftimi i plotë i tij:
Në shërbim të përmirësimit të jetës së secilit qytetar, pa përjashtim, Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare do të procedojë me 6 projektligje prioritare, si dhe 3 ligje për vlerësim retrospektiv (ex-post), që prekin drejtpërdrejt kategoritë më të ndjeshme dhe shtyllat kryesore të drejtësisë sociale në vend.
1. Projektligji për vlerësimin, njohjen e statusit, përfitimet dhe shërbimet për personat me aftësi të kufizuar;
2. Projektligji për skemën e ndihmës sociale;
3. Projektligji për Inspektoratin Qendror të Punës;
4. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-023 për personat e zhdukur;
5. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-212 të Punës;
6. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-161 për sigurinë dhe shëndetin në punë;
Vlerësimi ex-post ka për qëllim të analizojë zbatimin praktik të ligjeve, efektet e tyre në terren, si dhe nevojën eventuale për ndryshime apo plotësime.
Gjatë vitit 2026 do t’i nënshtrohen vlerësimit këto ligje:
1. Ligji Nr. 04/L-131 për skemat pensionale të financuara nga shteti;
2. Ligji Nr. 05/L-141 për plotësim ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-261 për veteranët e luftës së UÇK-së;
3. Ligji Nr. 04/L-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre.
Përmes këtij procesi, ministria synon të sigurojë që legjislacioni në fuqi të jetë funksional, i drejtë dhe në përputhje me nevojat reale të qytetarëve.
Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare do të informojë publikun në çdo fazë të këtij procesi dhe do të sigurojë përfshirjen e gjerë të akterëve institucionalë, shoqërisë civile dhe vetë kategorive të prekura.
Rruga Press

