KryesoreLajme

Milionat për pastrimin e lumit Lana në Tiranë nga ujërat e zeza, i mori lumi

Në dalje të Tiranës, përtej “Pallati me shigjeta”, ndotja e lumit të Lanës të vret sytë dhe të shpon hundët. Një kolektor i ujërave të zeza shkarkon lirisht mbi lumë jashtëqitjet që rrjedha i shtyn drejt perëndimit fillimisht në lumin Ishëm dhe më pas në detin Adriatik.

Cilësia e jetës së banorëve që jetojnë pranë këtij segmenti të Lanës i përngjan Mesjetës.

“Nuk ka asnjë lumë në Europë më të ndotur se Lana,” thotë me shqetësim Aleko Miho, aktivist mjedisor dhe profesor në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë. “Është aq keq, sa kur bëjmë matjet e ngarkesave bakteriale, niveli i ndotjes shënon përtej maksimumit që pranojnë instrumentet”.

Ndotja e Lanës nuk është një lajm i ri, pasi prej viteve ’60 në Shqipërinë komuniste, rrjeti i kanalizimeve të kryeqytetit është ndërtuar në mënyrë të tillë që derdhet drejt e në lumë.

Por tre dekada pas rënies së komunizmit, Tirana mbetet kryeqyteti i vetëm në Europë që nuk bën asnjë trajtim për rrjetin e vet të ujërave të ndotura – duke rrezikuar mjedisin dhe shëndetin e banorëve të saj.

Lexo më shumë  “Ligji për portet me porosi”, Tabaku letër BE: Shkelet Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit

Dështimi historik serviret megjithatë me një faturë të kripur financiare.

Qeveritë shqiptare kanë shpenzuar prej vitit 2008 dhjetramilionë euro për shërbime konsulence, tendera ndërtimi dhe shpenzime arbitrazhi për projektin e një impianti të trajtimit të ujërave të Lanës, kontrata e të cilit u ndërpre në mënyrë të paligjshme nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në vitin 2018.

Projekti ushqen edhe sot të vetmen shpresë për zgjidhjen e pjesshme të problemit të ujërave të zeza të Tiranës, ndonëse vegjeton prej vitesh i papërfunduar dhe në rrezik amortizimi në zonën e Kasharit.

Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve, AKUK, i tha BIRN se po punon për finalizimin e projektit, i cili po i nënshtrohet aktualisht një vlerësimi të ri mbi gjendjen e tij.

“Aktualisht nga shërbimi i konsulencës po zhvillohet një analizë e detajuar inxhinierike për vlerësimin e gjendjes aktuale të projektit si dhe rishikimin e projektit të detajuar në përputhje me nevojat aktuale të zonës së shërbimit, të cilat do të shërbejnë si dokumentacion bazë për rifillimin dhe finalizimin e projektit,” tha AKUK.

Lexo më shumë  Britania në Këshill të Sigurimit të OKB-së bën thirrje për njohje të Kosovës

Agjencia Japoneze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar, JICA, e cila e financoi projektin përmes një kredie të butë në vitin 2008, tha gjithashtu se “kredia është ende e vlefshme dhe se projekti është në vazhdim”.

Por për ekspertët e mjedisit, ndërprerja e pajustifikuar e projektit ka sjellë pasoja të rënda dhe afatgjata për kryeqytetin.

“Vonesa mbi 7-vjeçare e projektit ka privuar qytetarët nga një shërbim bazë që duhej të ishte funksional prej kohësh, duke krijuar dëm social, ekonomik dhe mjedisor,” tha Aleksandër Trajçe, drejtori i organizatës mjedisore PPNEA.

Rruga Press

YouTube player