Konjufca: Gjykata në Hagë njëetnike, lufta e UÇK-së ishte mbrojtëse
Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, në ditën e fundit kur në Hagë do të shpalosen deklaratat e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se Gjykata Speciale është një etnike dhe se ka shkelur të drejta të njeriut gjatë procesit gjyqësor.
Ai përmendi faktin se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, dhe Rexhep Selimi, janë duke u gjykuar qe 5 vite e 3 muaj, duke u mbajtur të izoluar, larg familjes e shtetit të tyre.
“Ka qenë shkelje brutale e të drejtës për të pasur gjykim të arsyeshëm në kohë. Tjetra është që ne e patëm kritikën tonë për këtë gjykatë që është një etnike, që fokusin e ka padrejtësisht te UÇK. Unë jam këtu për të konfirmuar edhe një herë që lufta jonë, e popullit të Kosovës ka qenë luftë e pastër, mbrojtëse. Nuk ka qenë qëllimi i kësaj lufte sulmi i asnjë populli tjetër. Targeti i vetëm i uniformave të UÇK-së ishte ushtria e policia serbe, njerëzit e uniformuar okupator që bën gjenocidin në Kosovë, që vranë fëmijë, gra e pleq dhe që i mbytën mbi 12 mijë qytetarë. Kundër tyre ishte e drejtuar lufta e UÇK-së dhe këtë të vërtetë nuk ka asnjë institucion, nuk mund ta ndryshoj asnjë gjykatë. E çka po përpiqet të ndodh brenda kësaj gjykate është shtrembërimi i historisë”, tha ai, përcjellë RTKlive.
Konjufca tha se vet dokumenti mbi të cilën u ndërtua kjo gjykatë, e që ishte raporti i Dick Marty, doli të jetë i rremë. Ai përmendi se deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë bërë kërkesë që trupi gjykues të trajtojë edhe masakrën e Dubravës, por që asnjëherë nuk u mor parasysh.
“Një pjesë e deputetëve ju ka drejtuar kësaj gjykate për ta testuar sinqeritetin e saj,një grup i deputetëve ju ka drejtuar edhe me kërkesën për trajtimin e masakrës së Dubravës ku janë të qartë personat që e kanë kryer atë, dihet kush ka qenë ministër i Serbisë, drejtor i burgut të Dubravës, dihet secili gardian që e kreu atë masakër. I ka shkuar si kërkesë Gjykatës Speciale, ata kanë thënë se nuk janë një etnike por kurrë nuk e trajtoj asnjë krim të Serbisë”, ka thënë ai.
Rruga Press

