NATO: Shqipëria e Kroacia kanë të drejtë për marrëveshje mbrojtjeje me Kosovën
Ministrat e Mbrojtjes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, janë takuar në Munih, për t’i dakorduar veprimet në kuadër të zbatimit të marrëveshjes së përbashkët në fushën e mbrojtjes. Të shtunën është takuar edhe kryeministri Kurti me homologun e tij kroat. Presidenti serb ka përmendur këto takime dhe ka thënë se, nëpërmjet marrëveshjes, të tria shtetet ia kanë dalë ta shqetësojnë Serbinë
Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska, ka thënë se Shqipëria dhe Kroacia janë dy anëtare të Aleancës Veriatlantike që kontribuojnë në stabilitetin rajonal, teksa ka folur për aleancën në fushën e mbrojtjes që këto dy shtete e kanë lidhur me Kosovën.
E pyetur lidhur me Deklaratën e Bashkëpunimit, për zbatimin e së cilës përfaqësues të të tria shteteve kanë pasur takim ditë më parë, e që ka nxitur reagime në Serbi, Shekerinska ka thënë se ajo nuk bie ndesh me NATO-n.
“Natyrisht, kjo nuk është një marrëveshje në të cilën NATO-ja është palë. Ne as nuk kemi marrë pjesë në diskutime apo në konsultime, por anëtarësia në NATO nuk i parandalon shtetet aleate që të kenë marrëveshje shtesë të mbrojtjes me palë të treta”, ka thënë Shekerinska në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve, Beta. “Ato nuk janë vetëm aleate të besueshme dhe me vlerë brenda Aleancës, por edhe kontribuuese të rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në rajon. Janë të pranishme në KFOR dhe në përgjithësi janë shumë të fokusuara në mbështetjen e kësaj agjende në rajon”.
Ministrat e Mbrojtjes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë janë takuar një ditë më parë në margjina të konferencës së Munihut, për ta diskutuar zbatimin e Deklaratës së Bashkëpunimit, si dhe organizimin e stërvitjes së parë të përbashkët gjatë këtij viti.
Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, ka thënë se në takimin me homologët Pirro Vengu Ejup Maqedonci, janë diskutuar aktivitetet aktuale dhe të ardhshme në kuadër të Deklaratës për Bashkëpunim në Fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë, përmes së cilës tre vendet po zhvillojnë projekte të reja në industrinë e mbrojtjes dhe po forcojnë bashkëpunimin ndërmjet forcave të tyre të armatosura.
“Në këtë Deklaratë absolutisht nuk ka asgjë të diskutueshme dhe, natyrisht, nuk e rrezikojmë askënd me të. Bashkëpunimi ynë është qartësisht i orientuar drejt forcimit të stabilitetit dhe sigurisë në Evropën Juglindore, si dhe për thellimin e partneritetit dhe aleancës mes tre shteteve mike”, ka thënë Anushiq.
Për investime në fushën e mbrojtjes, nga Konferenca e sigurisë në Munih ka folur për radiotelevizionin e Kosovës edhe kryeministri Albin Kurti.
“Ne jemi duke investuar shumë edhe në polici, edhe në ushtri, me partnerët demokratikë perëndimorë, ashtu që t’i ngremë kapacitetet, pra edhe aftësitë por njëkohësisht edhe përmasat, ashtu që askush të mos ia mësyjë më Kosovës, e lëre më të ketë sukses”, ka thënë kryeministri Kurti.
Kurti është takuar të shtunën me homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviq. Ndonëse, në njoftimet që kanë bërë për takimin, asnjëri nga ta nuk kanë folur në lidhje me marrëveshjen në fushën e mbrojtjes, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se qëllimi i tyre “është ta shqetësojnë Serbinë”.
E ka thënë këtë, tek i është referuar takimit të dy kryeministrave, e edhe atij të ministrave të mbrojtjes.
“E kam parë se edhe tre ministrat e mbrojtjes, Ejup Maqedonci, Piro Vengu, Ivan Anushiq, u takuan aty. Ata duan të na tregojnë se çfarë po bëjnë, se janë shumë të fortë. I uroj për këtë fuqi. Ia kanë dalë. Nëse qëllimi i tyre ishte të na shqetësojnë, ia kanë dalë. Na kanë shqetësuar shumë, dhe ne do të marrim hapa në përputhje me rrethanat”, ka thënë Vuçiq
Edhe një ditë më parë, ai tha se marrëveshja mes të tria shteteve është arsyeja pse Serbia do të investojë më shumë në mbrojtje.
“Me formimin e një aleance ushtarake të Kroacisë me Prishtinën dhe Tiranën, ne jemi seriozisht të rrezikuar dhe do të merremi me këtë çështje me shumë seriozitet. Së shpejti do të marr pjesë në kolegjiumin e Shtabit të Përgjithshëm dhe të Ministrisë së Mbrojtjes dhe do të vizitoj të gjitha fabrikat e industrisë ushtarake. Do të investojmë një shumë të madhe shtesë të parave në fabrikat e industrisë ushtarake”, ka thënë Vuçiq.
Sipas tij, nga tani 30 deri në 40 për qind e prodhimit ushtarak në këtë vend do të destinohet drejtpërdrejt për Serbinë.
E, zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Shekerinska, ka theksuar se Aleanca vazhdimisht u bën thirrje autoriteteve në rajon që të angazhohen në dialog, të zgjidhin çështjet e mbetura politike dhe të mbështesin prosperitetin e stabilitetin rajonal.
“Besojmë se të gjitha vendet e rajonit mund të kontribuojnë dhe janë të interesuara për stabilitetin. Prandaj presim që të gjithë të japin mbështetjen e tyre në këtë drejtim”, ka thënë ajo.
Shekerinska ka theksuar se situata globale gjeopolitike ka ndikuar edhe në Ballkanin Perëndimor, duke sjellë më shumë ushtrime ushtarake dhe rritje të investimeve në mbrojtje dhe siguri. Megjithatë, sipas saj, NATO vazhdon t’i ftojë aleatët dhe partnerët që paralelisht të angazhohen në dialog politik dhe në zgjidhjen e çështjeve të hapura.
Në mars të vitit të kaluar, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan një deklaratë bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Në dokument thuhet se tri shtetet do të bashkëpunojnë për rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore.
Deklarata parasheh katër fusha kryesore të bashkëpunimit, përfshirë promovimin e bashkëpunimit në fushën e aftësive mbrojtëse dhe industrisë mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë nëpërmjet arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve të përbashkëta, adresimin e kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë, si dhe ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme dhe të plotë për integrimin euroatlantik.
Në bazë të kësaj deklarate, tri shtetet parashohin të bëjnë edhe blerje të përbashkëta të armatimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Rruga Press

