Lajme

Miratohet Plani i Rritjes, Kosova do të përfitojë 882 milionë euro

Kuvendi i Kosovës ka miratuar marrëveshjet ndërkombëtare me Bashkimin Evropian, të njohur si Plani i Rritjes, e që parashohin përfitime prej më shumë se 880 milionë eurosh për Kosovën.

Siç ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati, ky plan vjen me 1/3 si grant dhe 629 milionë euro në formë të kredisë. Ai ka thënë se këto mjete zhbllokohen bazuar në reformat që i zbaton Kosova.

Kuvendi e miratoi me 104 vota pro marrëveshjen. 5 deputetë të Listës Serbe abstenuan.

Bashkimi Evropian e pati miratuar për Ballkanin Perëndimor pakon prej 6 miliardë eurosh në fund të 2023-s. Për shkak të bllokadës në Kuvend, ajo ka ngecur tash e sa muaj.

Lexo më shumë  Ambasadori britanik: Kryeministri Kurti sinjalizon bashkëpunim të ngushtë dhe mbrojtje të komuniteteve

Këto para janë miratuar për periudhën 2024-2027.

Kuvendi ka miratuar edhe Marrëveshje të tjera ndërkombëtare, përfshirë atë me Bankën Botërore rreth 90 milionë euroshe për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër. Kjo marrëveshje parasheh kthimin e mjeteve për 12 vjet, pa kamatë. Ajo u miratua në ditën e fundit të afatit të lejuar.

Marrëveshje të tjera ndërkombëtare që u miratuan janë:

Marrëveshja e Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si Huadhënës, dhe Republikës së Kosovës si Huamarrës, dhe Bankës Qendrore të Kosovës si Agjent i Huamarrësit,

Lexo më shumë  Kuvendi mblidhet në orën 15:00 për marrëveshjet ndërkombëtare

Marrëveshja e Kredisë mes Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Kompas“-Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës Për Forcimin E Sistemit Të Shëndetësisë, dhe

Marrëveshjen e Kredisë mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) për Projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”.

Rruga Press

YouTube player