Forcohen lidhjet shqiptaro-kroate në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes: Tre komandantët e ushtrive të Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë së bashku
Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se bashkëpunimi trepalësh ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë po konkretizohet përmes angazhimit të drejtpërdrejtë të forcave ushtarake të tri vendeve.
Sipas ministrit Maqedonci, ky bashkëpunim ka në fokus rritjen e ndërveprueshmërisë, zhvillimin e kapaciteteve ushtarake dhe avancimin e bashkëpunimit në përputhje me standardet euroatlantike.
Në këtë kuadër, është zhvilluar takimi trilateral ndërmjet Gjeneral-Lejtënant Bashkim Jasharit, Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral-Lejtënant Arben Kingjit, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Gjeneral Tihomir Kundid, Shef i Shtabit të Forcave të Armatosura të Kroacisë.
Ky takim përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit rajonal shqiptaro-kroat në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke thelluar koordinimin strategjik dhe operacional ndërmjet tri vendeve.
Ministri Maqedonci theksoi se Deklarata e përbashkët e mbrojtjes, e nënshkruar në nivel ministrash më 18 mars 2025, tashmë po përkthehet në angazhime konkrete, si në aspektin e politikave të mbrojtjes ashtu edhe në bashkëpunimin ushtarak.
Rruga Press

