KryesoreLajme

Rrustemi: Aktgjykimi i Kushtetueses i dha të drejtë Listës Serbe ta bllokojë Kuvendin

Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka kritikuar ashpër Gjykatën Kushtetuese, duke e akuzuar për mungesë konsistence, tejkalim të autorizimeve kushtetuese dhe ndikim negativ në procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, teksa ka komentuar vendimin e fundit të saj lidhur me ankesën e Listës Serbe për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb. Sipas tij me aktgjykimin e fundit, Kushtetuesja i ka dhënë Listës Serbe të drejtën për ta bllokuar Kuvendin.

Në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, Rrustemi ka thënë të enjten se Gjykata së fundmi ka nxjerrë disa aktgjykime për të njëjtën çështje – konstituimin e Kuvendit – të cilat, sipas tij, janë kontradiktore me njëra-tjetrën. 

Ai theksoi se pothuajse në secilin vendim të ri janë vendosur rregulla dhe kritere shtesë, të cilat nuk kanë ekzistuar në aktgjykimet paraprake.

“Është e qartë që Gjykata Kushtetuese po karakterizohet nga një lloj inkonsistence në raport me vetë aktgjykimet e saj për të njëjtën çështje. Pothuajse, sidomos gjatë vitit të kaluar, të gjitha aktgjykimet kur bëhet fjalë për konstituimin e Kuvendit ne kemi pothuajse pesë aktgjykime nga Kushtetuesja dhe ato ndryshojnë nga njëra-tjetra, secila e radhës shpik rregulla të reja, kritere të reja që nuk janë thënë në aktgjykimin paraprak… Në aktgjykimin e parafundit Kushtetuesja kishte vendosur tri kritere të përgjithshme sa i përket konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb, ndërkohë që në aktgjykimin e fundit i kemi tri kritere shtesë për këtë çështje”, ka thënë ai. 

Lexo më shumë  Ambasadorët e BE-së miratojnë detajet e kredisë 90 miliardë euro për Ukrainën

Rrustemi tutje ka thënë se vendimet e Kushtetueses jo vetëm se e vështirësojnë krijimin e institucioneve, por edhe i japin Listës Serbe një “të drejtë vetoje ekskluzive”, duke zhvlerësuar deputetët e tjerë të komunitetit serb dhe duke i vendosur ata në pozitë të pabarabartë para ligjit dhe Kushtetutës.

“Gjykata Kushtetuese në njërën anë nuk ka konsistencë në vendimet e saj për të njëjtën çështje dhe në anën tjetër ka tejkaluar autorizimet e saj kushtetuese dhe mbi të gjitha po sillet si një lloj dege e një pushteti duke ekuilibruar pushtetet tjera. Kushtetuesja po e tejkalon edhe Pakon e Ahtisaarit në dy drejtime. Në rrafshin e brendshëm të vetë komunitetit po e ngushton duke i dhënë të drejta ekskluzive një partie të vetme siç është Lista Serbe”, ka theksuar ai. 

Lexo më shumë  Media zvicerane: Fasada e Ramës me “Diellën” është shembur

Rrustemi kritikoi qasjen që e cilësoi si sipërfaqësore dhe formaliste të Gjykatës Kushtetuese dhe të disa institucioneve të tjera ndaj Listës Serbe, duke thënë se refuzimi për t’u thelluar në veprimet dhe synimet e saj vetëm sa e fuqizon këtë subjekt politik për të bllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

“Nuk e di se si do të zhvillohet seanca konstituive. Është shumë me rëndësi ta diskutojmë përmbajtjen dhe rrëshqitjen e Gjykatës Kushtetuese përditë e më shumë në një palë të pushtetit që e kufizon demokracinë dhe vetë Kuvendin e Kosovës. Ky vendim përveç tejkalim të autorizimeve, ndryshim të rregullave dhe të standardit që vetë i ka vendosur Gjykata Kushtetuese, nuk i ndihmon as krijimit të institucioneve e as konstituimit. Ka një lloj qasje për fat të keq sipërfaqësore krejtësisht formaliste, jo vetëm të Gjykatës Kushtetuese por edhe të disa institucioneve të tjera në raport me Listën Serbe. Refuzojnë të thellohen në të vërtetën e saj, në synimet e saj, në veprimet e saj dhe ky aktgjykim vetëm sa i jep një armë më shumë Listës Serbe për ta bllokuar moskonstituimin e Kuvendit”, ka deklaruar ai. 

YouTube player