KryesoreLajme

Fondet e BE-së në Shqipëri: Mes besimit të munguar dhe dështimit institucional

Fondet e Bashkimit Evropian premtojnë zhvillim, reforma dhe institucione më të forta. Në Shqipëri, ato po ekspozojnë të kundërtën: vonesa sistemike, abuzime të pandëshkuara dhe një zhvendosje të heshtur nga grantet drejt borxhit. Ndërsa paratë ekzistojnë, besimi po humbet, dhe me të, edhe shansi për integrim real evropian.

Fondet e Bashkimit Evropian përbëjnë një nga instrumentet kryesore të mbështetjes financiare për vendet kandidate, me synimin për të nxitur reformat strukturore, forcimin e institucionev dhe zhvillimin socio-ekonomik. Për Shqipërinë, instrumente si IPA, IPARD dhe mekanizmat e përbashkët të investimit nuk përfaqësojnë vetëm burime financiare, por edhe një test konkret të kapaciteteve institucionale, transparencës, llogaridhënies dhe sundimit të ligjit.

Një raport i Qëndresës Qytetare, nënvizon se pavarësisht alokimeve të konsiderueshme financiare në kuadër të IPA II dhe IPA III, Shqipëria vijon të karakterizohet nga vonesa sistemike në zbatim, probleme strukturore në menaxhim, nivel i ulët i absorbimit dhe raste të përsëritura parregullsish, veçanërisht në sektorët e bujqësisë dhe infrastrukturës.

Të dhënat për IPA II (2014-2020) tregojnë një qasje formalisht të barabartë të Bashkimit Evropian ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova përfituan alokime të ngjashme, rreth 650 milionë euro secila, ndërsa Serbia kryesoi listën me rreth 1.5 miliardë euro, reflektim i peshës së saj demografike, rolit gjeopolitik dhe kapaciteteve më të konsoliduara administrative.

Lexo më shumë  Rexhep Qosja për 90-vjetorin e Ismail Kadaresë: Një madhështi letrare përtej kohës dhe mospajtimeve

Por, ky barazim në letër nuk u reflektua në praktikë. Ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi arritën të shfrytëzojnë më mirë fondet përmes strukturave më të qëndrueshme menaxhimi dhe përvojës nga ciklet e mëparshme IPA, Shqipëria u përball me probleme të vazhdueshme në kontraktim, disbursim dhe transparencë. Raportet e auditimit dhe gjetjet e OLAF evidentuan mangësi serioze në mbikëqyrje dhe kontroll, të cilat rrallë u pasuan nga ndjekje penale efektive në nivel kombëtar.

IPA III: Rënie relative dhe sinjal mosbesimi

Në kuadër të IPA III (2021-2027), Shqipëria shfaq një rënie relative në peshën e financimit, duke u renditur pas Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, pavarësisht nevojave të konsiderueshme infrastrukturore dhe zhvillimore. Ky ndryshim reflekton një zhvendosje të qartë në qasjen e BE-së, ku besueshmëria institucionale, sundimi i ligjit dhe historiku i menaxhimit të fondeve po marrin një peshë më të madhe sesa statusi formal i vendit kandidat.

Problematikat e konstatuara nga OLAF, mungesa e ndëshkimit për abuzimet me fondet e BE-së dhe vonesat e gjata në projekte strategjike, si rasti i hekurudhës Tiranë–Durrës kanë ndikuar drejtpërdrejt në pozicionin e Shqipërisë në ndarjen e fondeve IPA III. Në këtë kontekst, reduktimi i mbështetjes financiare funksionon si një sinjal politik i qartë: Fondet nuk ndjekin vetëm nevojat, por mbi të gjitha besimin.

WBIF: Zhvillim me kredi dhe rrezik për borxhin publik

Edhe në kuadër të WBIF, ku Shqipëria ka përfituar investime të konsiderueshme (rreth 4.5 miliardë euro), struktura e financimit ngre shqetësime serioze. Pjesa dërrmuese e mbështetjes vjen përmes kredive, ndërsa grantet mbeten relativisht të kufizuara krahasuar me vende si Bosnje dhe Hercegovina apo Maqedonia e Veriut.

Lexo më shumë  Ukraina publikon videon me goditjet më të mëdha të sulmeve me dronë të vitit 2025 mbi objektivat ruse

Në kontrast, Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina kanë arritur të ndërtojnë një balancë më të qëndrueshme mes granteve dhe huave, duke ulur presionin afatgjatë mbi financat publike. Shqipëria, përkundrazi, shfaq një model ku vonesat në zbatim, ndryshimet kontraktuale dhe problemet e menaxhimit çojnë shpesh në hua shtesë, duke transferuar riskun financiar te buxheti i shtetit dhe në fund, te taksapaguesit.

Një cikël negativ që rrezikon integrimin

Shqipëria nuk penalizohet për mungesë fondesh, por për mungesë besueshmërie në zbatim. Sa më shumë probleme në menaxhim dhe transparencë, aq më e ulët mbështetja me grante dhe aq më e madhe varësia nga kreditë. Ky cikël negativ rrezikon të thellojë borxhin publik, të vonojë projektet strategjike dhe të minojë më tej kredibilitetin e vendit në procesin e integrimit evropian.

Pa një forcim real të kapaciteteve institucionale për menaxhimin indirekt të fondeve IPA, pa mekanizma të detyrueshëm llogaridhënieje dhe ndjekje penale për abuzimet, si dhe pa një rishikim të thellë të skemave si IPARD, për të garantuar përfshirjen reale të fermerëve të vegjël, fondet e BE-së rrezikojnë të mbeten një burim borxhi dhe konfliktesh, më shumë sesa një motor zhvillimi./acqj.al

YouTube player