Margetiq: Njësi çetnike dhe dokumente zyrtare, dëshmi për praninë e Vuçiqit në rrethimin e Sarajevës
Gazetari i njohur investigativ kroat, Domagoj Margetiq, ka publikuar një dokument të ri që, sipas tij, dëshmon se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mbajtur armë në pozicionet nga ku janë vrarë civilë, përfshirë fëmijë dhe gra, gjatë rrethimit të Sarajevës — në kundërshtim me pretendimet e tij publike se nuk ka marrë pjesë në veprime të tilla.
Sipas Margetiqit, bëhet fjalë për një tjetër dokument të “Njësisë Çetnike të Novi Sarajevës”, i cili është nënshkruar nga komandanti i njësisë, Slavko Aleksiq.
Ky dokument, ashtu si edhe të tjerë të publikuar më herët, e vendos Vuçiqin në pozicionet te Varrezat Hebraike në Sarajevë, një nga pikat më famëkeqe gjatë rrethimit të qytetit.
Dokumenti i Slavko Aleksiqit dëshmon se Aleksandar Vuçiq ishte dërguar në këto pozicione me detyrë nga “Administrata Qendrore Patriotike” e Partisë Radikale Serbe, parti në të cilën ai ishte aktiv gjatë viteve të luftës.
Sipas dokumentit, thotë Margetiq, presidenti serb, Vuçiq mbante një pushkë të prodhimit jugosllav M59/66, e njohur gjerësisht me emrin “papovka”, si dhe municion të kalibrit 7.62×39 mm.
Në dokument theksohet se këto pozicione ishin pjesë e vijës nga e cila forcat serbe merrnin pjesë në rrethimin e Sarajevës, dhe nga ku, sipas të dhënave të gjykatave ndërkombëtare dhe shoqatave të viktimave, janë vrarë gra dhe fëmijë civilë.
Një element shtesë që Margetiq e cilëson si veçanërisht domethënës është fakti se modeli i pushkës M59/66 kishte një rrip mbajtës identik me atë që shihet në pamjet video të publikuara më herët, ku Vuçiq shfaqet i armatosur mbi Sarajevë gjatë luftës.
Aleksandar Vuçiq ka mohuar vazhdimisht se ka mbajtur armë ose se ka marrë pjesë drejtpërdrejt në veprime luftarake gjatë rrethimit të Sarajevës.
Megjithatë, sipas Margetiqit, ky dokument përbën një provë të drejtpërdrejtë arkivore që bie ndesh me deklaratat e presidentit serb.
Publikimi i këtyre materialeve vjen në një kohë kur çështjet e përgjegjësisë individuale për krimet gjatë luftërave të viteve ’90 vazhdojnë të jenë temë e ndjeshme politike dhe juridike në rajon.
Serbë vendas dhe të huaj në Gërbavica
Personi i vetëm i përmendur në kontekstin e “safarit”, Nicholas Ribiq, njihet nga Sllavko Alleksiq, një “vojvodë çetnik” dhe figurë qendrore gjatë luftës në lagjen e okupuar të Sarajevës, Gërbavica, mbi të cilën ndodhej një nga bazat snajperike në Varrezat Hebraike.
Alleksiq drejtonte një njësit paraushtarak të quajtur “Njësiti Çetnik i Sarajevës së Re”, i cili më vonë u integrua në Ushtrinë e Republikës Sërpska.
Kontradiktor edhe pas luftës, ai u dënua për nxitje të urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare, për përçarje dhe për jotolerancë.
Alleksiq thotë për Radion Evropa e Lirë se njësia e tij përfshinte të huaj, por jo ata që përmenden sot.
“Kishim rusë, rreth pesëdhjetë… Ata ishin vullnetarë, jo vrasës. Sa u përket këtyre burrave të pasur që vinin… ne nuk pamë askënd, dhe askush nuk kontaktoi komandën tonë ose mua personalisht”, thotë ai.
Ndryshe nga Alleksiqi, në Hagë më 2007 foli John Jordan, një zjarrfikës amerikan, i cili gjatë luftës vizitonte pozicionet e forcave serbe mbi Sarajevë.
Ai tha se aty kishte parë “vrasës safari” të huaj dhe kishte dëgjuar se fëmijët dhe gratë e bukura ishin trofetë më të kërkuar.
Edhe pse nuk e kishte parë asnjërin prej tyre duke qëlluar, ai kishte vëzhguar se si trajtoheshin dhe lëviznin rreth pozicioneve të njohura snajperike.
“Ishte krejt e qartë se personi që udhëhiqej nga njerëzit që e njihnin terrenin, ishte plotësisht i panjohur me vendin, dhe mënyra se si ishte i veshur dhe armët që mbante, më bënë të mendoj se bëhej fjalë për ‘turist gjahu’. Ky është një term që e dëgjova për herë të parë në Bejrut, ku pamë se e njëjta gjë ndodhte rreth linjës së gjelbër”, tha Jordan atëkohë.
Ish-zëdhënësja e Tribunalit të Hagës, Florence Hartmann, thotë për Radion Evropa e Lirë se ata dinin për këtë fenomen, por jo për mënyrën se si organizohej.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të fillojë një hetim gjyqësor dhe të zbulohet se kush ishin organizatorët”, thotë ajo.
Prokuroria në Milano pritet të njoftojë publikun për rezultatet e hetimit në mars të vitit 2026. Nëse ngre aktakuzë dhe vërteton fajësinë, kjo do të ishte hera e parë në Evropë që dikush gjykohet për vrasjet e civilëve me snajperë në Sarajevë.
Ndërkohë, drejtësia në Bosnje e Hercegovinë është duke verifikuar pretendimet, por, deri më tani, asnjë snajperist nuk është gjykuar për vrasjet e civilëve, veçanërisht të fëmijëve në Sarajevë.
Rrethimi i Sarajevës zgjati 1.425 ditë. Sulmet ndaj civilëve nga pozicionet e Ushtrisë së Republikës Sërpska ndodhnin kudo dhe në çdo kohë të ditës apo natës, sipas vendimeve të Gjykatës në Hagë.
Stanisllav Galliq, ish-komandant i Korpusit Sarajevë-Romanija, u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa kolegu i tij, Dragomir Millosheviq, mori 29 vjet burg për rolet e tyre në rrethimin e qytetit për 44 muaj.
Dënimet me burgim të përjetshëm të Radovan Karaxhiqit dhe Ratko Mlladiqit lidhen gjithashtu me terrorizimin e civilëve të Sarajevës gjatë luftës.
Në drejtësinë vendase, deri tani janë gjykuar disa persona për krime të kryera në zonat e rrethuara të qytetit. /The Geo Post/
Rruga Press

