Libri i javes

LIBRI I JAVËS/GJENDJA NJERËZORE – HANNAH ARENDT

Prolog

 Në vitin 1957 u lëshua në gjithësi një objekt i lindur në tokë, i bërë nga njeriu, dhe për disa javë ai u rrotullua rreth tokës simbas të njëjtave ligje të rëndesës që rrotullojnë dhe mbajnë në lëvizje trupat qiellorë – diellin, hënën, yjet. Sateliti i bërë nga njeriu sigurisht nuk ishte hënë, yll apo trup qiellor që të vazhdonte rrugën e vet rrethore për një hark kohor që për ne, të vdekshmit e lidhur me kohën tokësore, zgjat nga përjetësia në përjetësi. Megjithatë, për njëfarë kohe ai mundi të qëndronte në qiell; ndenji e lëvizi në afërsi të trupave qiellorë si të ishte pranuar sa për provë në shoqërinë e tyre: sublime.

Kjo ngjarje, së cilës për nga rëndësia nuk ia kalon asnjë tjetër, as ndarja e atomit, do të ishte përshëndetur me gëzim të papërmbajtshëm po të mos kishte ndodhur në rrethana të pakëndshme ushtarake e politike. Për çudi, ky gëzim nuk qe ngadhënjyes; nuk qenë krenaria apo adhurimi për madhështinë e fuqisë dhe të mjeshtërisë njerëzore që mbushën zemrat e njerëzve, të cilët tani, kur ngrinin sytë nga toka drejt qiellit, mund të shquanin atje një send që e kishin bërë vetë. Reagimi i menjëhershëm, i shprehur nën nxitjen e çastit, ishte ndjenja e lehtësimit për “hapin e parë drejt arratisjes së njerëzve nga burgimi në tokë.” Dhe kjo deklaratë e çuditshme, që nuk mund ta quaje kurrsesi një lajthitje të rastit të ndonje reporteri amerikan, padashur i bënte jehonë një rreshti të jashtëzakonshëm, i cili më shumë se njëzet vjet më parë qe gdhendur në obeliskun e varrit të njërit prej shkencëtarëve të mëdhenj të Rusisë: “Njerëzimi nuk do të mbetet përjetë i lidhur me tokën.”  

Ndjenja të tilla kanë qenë të zakonshme për njëfarë kohe. Ato tregojnë se njerëzit kudo ku ndodhen nuk janë aspak të paaftë për të kapur menjëherë dhe për t’iu përshtatur zbulimeve shkencore dhe zhvillimeve teknologjike, por në të kundërt, kanë qenë më të shpejtë se to me dhjetëvjeçarë. Si në këtë aspekt, ashtu edhe në të tjerë shkenca ka realizuar e konfirmuar atë që njerëzit e kanë parapri me ëndrrat e tyre që nuk kanë qenë as të shfrenuara, as boshe. Risia qëndron vetëm tek fakti se një nga gazetat më të respektuara të këtij vendi më në fund nxori në faqen e parë se ç’po ndodh me atë çka dikur varrosej në letërsinë fantastiko-shkencore tejet të parespektuar (së cilës ende, për fat të keq, askush nuk po i kushton vëmendjen që meriton si një mjet për përcjelljen e ndjenjave dhe të dëshirave publikut të gjerë.) Banaliteti i njoftimit nuk duhet të na bëjë të anashkalojmë atë që në të vërtetë qe e jashtëzakonshme në të; sepse megjithëse të krishterët kanë folur për tokën si një luginë lotësh dhe filozofet e kane parë trupin e tyre si një burg të mendjes dhe të shpirtit, askush në historinë e njerëzimit nuk e ka konceptuar tokën si burg për trupat e njerëzve apo ka shfaqur ndonjë dëshirë të zjarrtë per të shkuar nga toka në hënë në kuptimin e vërtetë të fjalës. A duhet që emancipimi dhe shekullarizimi i epokës moderne, që filloi me një shmangie jodetyrimisht prej Perëndisë, por prej një perëndie që ishte Ati i njerëzve në qiell, të përfundojë me një mohim edhe më të frikshëm të një Toke që ka qenë Nëna e të gjitha krijesave të gjalla nën qiell?

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *