“Situata është vërtet serioze”, eurodeputeti Stir pasi vizitoi Serbinë
Anëtari i misionit të Parlamentit Evropian që vizitoi së fundmi Serbinë, Davor Ivo Štir nga Partia Popullore Evropiane (PPE), ka deklaruar se situata në vend është “vërtet serioze”, duke theksuar se, pavarësisht deklarimeve zyrtare për integrim në Bashkimin Evropian, janë vërejtur mangësi të theksuara në përmbushjen e standardeve evropiane.
“Ne ishim në një vend që deklaron se dëshiron të shkojë drejt Bashkimit Evropian dhe të pranojë vlerat evropiane, por ku vumë re një numër të madh mangësish. Kjo është një situatë vërtet serioze”, tha Štir në emisionin “N1 Direktno”, duke folur për përshtypjet nga vizita e delegacionit të PE-së në Serbi.
Sipas tij, delegacioni zhvilloi takime me një spektër të gjerë aktorësh shoqërorë dhe politikë, përfshirë përfaqësues të koalicionit qeverisës, opozitës, organizatave joqeveritare, mediave, akademisë dhe studentëve. Ai hodhi poshtë akuzat se misioni kishte qëndrime të paracaktuara apo një qasje armiqësore ndaj Serbisë.
“Qëllimi ynë ishte të njiheshim me situatën reale dhe të dëgjonim nga afër bashkëbiseduesit tanë, si dhe të mbështesnim perspektivën evropiane të Serbisë, e cila është në interes si të vetë Serbisë ashtu edhe të BE-së”, theksoi Štir.
Duke komentuar përmbajtjen e bisedave, eurodeputeti vlerësoi se në këtë moment çështja e integrimit evropian nuk duket të jetë prioritet kryesor për aktorët politikë në Serbi. Ai tha se përfaqësuesit e qeverisë kanë pohuar se po punohet në përmbushjen e kritereve të BE-së, por sipas tij mungon vullneti për t’u distancuar nga një politikë e jashtme “shumëvektoriale”.
Sa i përket opozitës dhe lëvizjes studentore, Štir tha se shqetësimet kryesore nuk lidhen drejtpërdrejt me anëtarësimin në BE, por me çështjet e sundimit të ligjit, të cilat ai i cilësoi si themelore për rrugën evropiane të Serbisë.
Ai theksoi gjithashtu se anëtarësimi në Bashkimin Evropian kërkon një konsensus më të gjerë shoqëror dhe politik, si nga pushteti ashtu edhe nga opozita, për një orientim të qartë pro-evropian.
Duke iu referuar refuzimit të Presidentit Aleksandar Vuçiç dhe Kryetares së Kuvendit Ana Brnabiç për t’u takuar me delegacionin e PE-së, Štir tha se ky veprim e ngushton hapësirën për dialog, ndërkohë që nga vendet kandidate pritet pikërisht zgjerimi i saj.
“Nëse një vend vendos të ndjekë rrugën evropiane, atëherë pritet respekt për institucionet evropiane, përfshirë Parlamentin Evropian dhe delegacionet e tij”, deklaroi ai.
Štir e cilësoi si paradoks faktin që mbështetja për anëtarësimin e Serbisë në BE është më e madhe në mesin e qytetarëve të Kroacisë sesa në vetë Serbinë, duke paralajmëruar se komunikimi i dobët publik mund ta minojë më tej këtë proces.
Në fund, ai foli edhe për shqyrtimin e statusit të Partisë Progresive Serbe (SNS) brenda PPE-së, duke konfirmuar se procesi ka nisur dhe se janë zhvilluar disa raunde bisedimesh me përfaqësues të SNS-së dhe aktorë të tjerë politikë e shoqërorë në Serbi.
“Ky është një proces i përcaktimit të fakteve që do të rezultojë në një raport konkret, mbi bazën e të cilit Presidenca e PPE-së do të marrë një vendim”, tha Štir, duke shtuar se mbështetja e vazhdueshme e presidentit Vuçiç për Fidesz-in hungarez është një element i ri që është vënë re në këtë proces.
Rruga Press

