Lajme

Trumpi fton presidenten Osmani në Bordin e Paqes

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka ftuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në Bordin e Paqes.

Në ftesën e publikuar, Trumpi shkruan se “përpjekja e Bordit të Paqes është të bëjë bashkë një grup të dalluar kombesh” të gatshme për të marrë përsipër përgjegjësinë fisnike të ndërtimit të paqes së qëndrueshme, si “një nder i rezervuar për ata që janë të përgatitur të udhëheqin me shembull.”

“Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me ShBA-në në misionin për një botë më të sigurt”- ka njoftuar presidentja Osmani në Facebook më 21.01.2026.

Osmani ka shprehur fjalë të mira për Trumpin duke thënë se lidershipi i guximshëm nuk flet thjesht për paqe, por e ndërton atë.

“Pikërisht këtë po e bën Presidenti Trump nëpërmjet kësaj iniciative historike. Ashtu si Amerika që solli paqe në Kosovë, sot Kosova qëndron si aleat i palëkundur i saj për ta çuar paqen më tej. Historia i mban mend ata që bëjnë hapa të guximshëm në ndërtimin e paqes – dhe ne jemi gati”- ka shkruar ajo.

Në letrën që i ka dërguar Trumpi Osmanit, të cilën ajo e ka publikuar, shkruan se: “Si Kryetar i Bordit, ftoj zyrtarisht Republikën e Kosovës të përfaqësuar prej jush, të na bashkohet si Shtet Anëtar Themelues dhe të bëhet palë në Statutin e Bordit të Paqes”.

Trumpi ka shkruar se ky Bord do të jetë unik.

“Çdo shtet anëtar mund të caktojë një përfaqësues të autorizuar për të marrë pjesë dhe kontribuar në takime në emër të tij. Bashkëngjitur gjeni Planin Gjithëpërfshirës dhe Kartën e Bordit, e cila tani është e hapur për nënshkrimin dhe ratifikimin tuaj”- shkruan në letër.

Lexo më shumë  Zvarritja e vendimit për Ballukun hyn në muajin e dytë, për qeverinë është “standard europian”

Trumpi ka shtuar se është nder që ta ftojë presidenten të bashkohet me të në një përpjekje kritike, që ai e quan historike dhe madhështore për të forcuar Paqen në Lindjen e Mesme dhe në të njëjtën kohë, për të ndërmarrë një qasje të re dhe të guximshme për zgjidhjen e konflikteve globale.

“Pres me padurim të punoj me ju në të ardhmen, drejt qëllimit për të vendosur PAQE BOTËRORE, BEGATI DHE MADHËSHTI të qëndrueshme PËR TË GJITHË!”- shkruan në letër.

Ndër të tjera, Trumpi ka shpjeguar se më 29 Shtator 2025, shpalli Planin Gjithëpërfshirës për t’i dhënë Fund Konfliktit të Gazës, një udhërrëfyes me 20 pika, i cili sipas tij u përqafua shpejt nga të gjithë Udhëheqësit Botërorë, përfshirë krerët kryesorë të shteteve në Botën Arabe, Izrael dhe Evropë.

“Në zbatim të këtij Plani, më 17 Nëntor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë dërmuese Rezolutën 2803, duke e mirëpritur dhe mbështetur këtë vizion”- shkruan tutje.

Trumpi ka shkruar në letër se në zemër të Planit është Bordi i Paqes, që sipas tij është Bordi më mbresëlënës dhe më me ndikim i mbledhur ndonjëherë, i cili do të themelohet si një Organizatë e re Ndërkombëtare dhe Administratë Qeverisëse Kalimtare.

“Përpjekja jonë do të bëjë bashkë një grup të dalluar kombesh të gatshme për të marrë përsipër përgjegjësinë fisnike të ndërtimit të PAQES SË QËNDRUESHME, një Nder i rezervuar për ata që janë të përgatitur të udhëheqin me shembull dhe të investojnë shkëlqyeshëm në një të ardhme të sigurt dhe të begatë për brezat që do të vijnë. Ne do të mbledhim partnerët tanë të mrekullueshëm dhe të përkushtuar, shumica e të cilëve janë Udhëheqës Botërorë Shumë të Respektuar, në një të ardhme të afërt”- shkruan në letër.

Lexo më shumë  210 projekte publike të parealizuara/ Miliarda lekë të buxhetuara, zero investime

Më 17.01.2026 edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se ka pranuar një ftesë personale nga presidenti Donald Trump për të përfaqësuar Shqipërinë në një organizatë të re ndërkombëtare. Ai e ka pranuar ftesën.

Bordi do të kryesohet përjetësisht nga Trumpi dhe do të nisë punën duke trajtuar konfliktin e Gazës dhe më pas do të zgjerohet që të merret me konflikte të tjera, sipas një kopjeje të letrës dhe draftit të kartës që e ka siguruar Reuters.

Shtetet anëtare do të kufizohen në mandate trevjeçare, përveç nëse paguajnë nga 1 miliard dollarë secila për të financuar aktivitetet e bordit dhe për të fituar anëtarësim të përhershëm, thuhet në letër.

“Kjo thjesht ofron anëtarësim të përhershëm për vendet partnere që demonstrojnë angazhim të thellë për paqen, sigurinë dhe prosperitetin”, është thënë në një postim të Shtëpisë së Bardhë në X.

Mandati për Bordin Paqes u autorizua nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në nëntor, por vetëm deri në vitin 2027 dhe u përqendrua vetëm në konfliktin e Gazës. Rusia dhe Kina, dy fuqi me të drejtë vetoje, abstenuan, duke u ankuar se rezoluta nuk i jepte OKB-së rol të qartë në të ardhmen e Gazës.

Përfshirja e një ‘karte’ në letrën e ftesës nxiti shqetësime midis disa qeverive europiane se kjo mund të minojë punën e Kombeve të Bashkuara, të cilat Trumpi i ka akuzuar se nuk ia mbështesin përpjekjet për t’u dhënë fund konflikteve në të gjithë botën.

Shtëpia e Bardhë ka publikuar emrat e disa liderëve që do të jenë pjesë e Bordit, i cili do të ketë rolin e qeverisjes së përkohshme të Gazës, bazuar në marrëveshjen e armëpushimit të brishtë të tetorit. Aty bën pjesë sekretarin amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i dërguari special i presidentit Trump, Steve Witkoff, ish-kryeministri britanik, Tony Blair dhe dhëndri i Trumpit, Jared Kushner.

Rruga Press

YouTube player