KryesoreOpinion/Aktualitet

Ekonomi fasadë / 679 call center dhe korridori i errët financiar i Shqipërisë

Shkruan Alba Alimehmeti Kepi

Sipas të dhënave të OpenCorporates Albania aktualisht në Shqipëri operojnë 679 kompani me objekt veprimtarie call center.

Kjo shifër nuk është tregues zhvillimi ekonomik por një anomali serioze strukturore që ngre pikëpyetje të forta mbi funksionimin e tregut, rolin e institucioneve dhe pozicionimin e Shqipërisë në raport me krimin ndërkombëtar.

Në një ekonomi të vogël me konsum të kufizuar dhe pa një industri të konsoliduar shërbimesh një përqendrim kaq i lartë i call center-ave është ekonomikisht i pajustifikueshëm dhe nuk mund të konsiderohet rastësi.

Ky fenomen nuk lind spontanisht dhe nuk rritet pa tolerancë o klientelizëm institucional.

Është e vështirë të besohet se qindra kompani me të njëjtin aktivitet me qarkullime të mëdha financiare me klientelë kryesisht të huaj dhe me jetëgjatësi të pazakontë pavarësisht skandaleve mund të funksionojnë pa mbështetje politike apo pa përfshirje indirekte të individëve me pushtet.

Lexo më shumë  Intervista të trilluara dhe faqe të klonuara, biznesi miliona euro i suplementeve online në Shqipëri

Në çdo shtet funksional një sektor i tillë do të ishte nën kontroll të vazhdueshëm.

Fakti që kjo nuk ka ndodhur për vite me radhë është tregues serioz i një problemi sistemik.

Sipas rastit të dokumentuar hetimor, një call center i vetëm mund të gjenerojë mbi 30 milionë euro në muaj.

Edhe nëse vetëm një pjesë e këtyre kompanive operojnë në zona gri apo kriminale, shumat mujore që dalin nga Shqipëria janë potencialisht qindra miliona euro ndërsa në baza vjetore arrijnë në miliarda euro.

Këto flukse nuk përputhen me ekonominë reale nuk reflektohen proporcionalisht në taksa dhe nuk justifikohen nga produktiviteti vendas.

Lexo më shumë  Forcat amerikane tërhiqen nga Iraku

Pa dyshim jo të gjitha call center-at janë të përfshira në mashtrime. Ka kompani që ofrojnë shërbime reale dhe të ligjshme.

Por problemi nuk është ekzistenca e subjekteve korrekte.

Problemi është përmasa e fenomenit.

Kur një vend perceptohet si bazë operimi për mashtrime ndërkombëtare si pikë daljeje e flukseve të dyshimta financiare dhe si territor me kontroll të dobët institucional ai etiketohet.

Ky etiketim nuk dëmton vetëm imazhin kombëtar por pengon investimet e huaja dhe e pozicionon Shqipërinë si territor të favorshëm për krimin ndërkombëtar.

679 kompani call center nuk janë sukses i investimeve tê huaja në Shqipëri.

Përkundrazi janë dështim i kontrollit, heshtje e mbrojtje politike e institucionale, dhe rrezik strategjik pêr Shqipërinë.

Në mos pas tyre fshihen emra të pushtetshëm.

Rruga Press

YouTube player