Lajme

Pretendoi se u keqtrajtua nga policët në Leposaviq, kamerat e përgënjeshtrojnë

Pamjet e kamerave nga vendi i ngjarjes kanë përgënjeshtruar një qytetar që kishte pretenduar se më 13 janar policë të Kosovës e kishin keqtrajtuar gjatë një kontrolli tek Ura e Ibrit në Leposaviq.

Siç ka njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës tani ndaj këtij qytetari është iniciuar rast dhe ka nisur hetim penal nën dyshimin për veprën penale “Lajmërim i rremë apo kallëzim i rremë”.

Sipas njoftimit, ky qytetar ishte ankuar me pretendimin se ishte keqtrajtuar në mbrëmjen e 13 janarit, pasi ishte ndalur në një pikë kontrolli derisa po voziste veturën me targa të Serbisë. Brenda i kishte edhe dy pasagjerë.

Ankuesi edhe në intervistim nga hetuesit ka shprehur pretendimin për keqtrajtim e se është goditur edhe shoku i tij me kondak të armës në këmbë.

Lexo më shumë  Ilir Kërçeli: KB Prishtina duhet të mbetet klub i qytetit, jo instrument i politikës

“Në kuadër të veprimeve hetimore është intervistuar ankuesi në cilësinë dëshmitarit në prezencën e avokatit të tij mbrojtës ku i njëjti ka deklaruar se gjatë kontrollit nga zyrtarë të Policisë së Kosovës ishte keqtrajtuar dhe goditur nga zyrtarët policorë. I njëjti ka potencuar para hetuesve të IPK-së se si pasojë e këtij keqtrajtimi kishte pësuar lëndime prapa në qafë, në bërrylin e majtë, në dorën e djathtë dhe në këmbë nga zyrtari policor i cili e kishte bërë kontrollin sipërfaqësor në trup dhe për këtë ka kërkuar trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Mitrovicë – Veri. Sipas tij, njëri nga zyrtarët policor e ka goditur edhe shokun e tij me kondak të armës së gjatë në këmbë”, thuhet në njoftim të Inspektoratit.

E pas verifikimit të pamjeve ky ka dalë të ketë qenë pretendim i rremë.

Lexo më shumë  Peci merr vendim për lirimin e hapësirave publike

“Hetuesit e IPK-së në kuadër të veprimeve hetimore dhe të procesit të verifikimit të pretendimeve të ankuesit kanë siguruar prova duke përfshirë edhe video incizim nga kamerat e sigurisë që kanë mbuluar me pamje vendin ku është kryer ndalesa në pikën e kontrollit nga zyrtarët policorë. Pas analizimit të provave dhe video-incizimeve është vërtetuar se të njëjtat nuk pasqyronin pretendimet e palës dhe se zyrtarët policorë me asnjë veprim nuk dyshohej se kishin tejkaluar autorizimet e tyre apo përdorur forcën. Nga procesi i analizimit të video incizimeve hetuesit e IPK-së kanë vërejtur se pretendimet e ankuesit janë të sajuara dhe të njëjtat i janë paraqitur prokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë i cili ka kërkuar që ndaj ankuesit tani i dyshuar të iniciohet rast dhe hetim penal me dyshimin për veprën penale “Lajmërim i rremë apo kallëzim i rremë”, përfundon njoftimi i Inspektoratit Policor.

Rruga Press

YouTube player