Sallova: Bojkoti nuk mund të bllokojë zgjedhjen e Presidentit, Kushtetuta e ndalon
Shkruan Donik Sallova
Bojkoti i seancës për zgjedhjen e Presidentit është mjet antikushtetues. Në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2011 mbi rastin Pacolli, e inicuar nga LDK-ja, gjykata vlerëson se të gjithë deputetët janë të obliguar të votojnë në zgjedhjen e presidentit dhe vetëm kandidati që merr 80 vota nga 120 deputetët që votojnë mund të zgjedhet president në dy raundet e para. Në të kundërt organizohet raundi i tretë ku presidenti zgjedhet me shumicë të thjeshtë.
Pra, LDK sot nuk mund të kërcënojë me bojkot kur me iniciativën e saj Gjykata Kushtetuese ka sanksionuar obligueshmërinë e pjesëmarrjes të të gjithë deputetëve në votimin e presidentit, me përjashtim të atyre që marrin leje nga kryetari i kuvendit për të munguar.
Me të drejtë Gjykata ndalon legalizimin e bojkotit si instrument potencial për bllokimin e jetësimit të vullnetit të shumicës parlamentare për të zgjedhur presidentin. Kuorumi nuk mund të jetë instrument për pengimin e demokracisë e cila funksionon mbi parimin e shumicës. Përcaktimi i kuorumit prej 80 deputetësh lidhet me faktin se presidenti në dy raundet e para kërkohet të zgjedhet nga 80 deputetë (natyrisht duke qenë se bëhet fjalë për të parin e shtetit), por kjo nuk do të thotë se ky kuorum mund të përdoret si instrument kushtetues për pengimin e zgjedhjes së presidentit me 61 vota në raundin e tretë siç e ka përcaktuar kushtetuta. Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka denoncuar si jokushtetuese çdo mungesë të pajustifikuar të deputetëve, duke ndaluar pikërisht keqpërdorimin e kuorumit si instrument shantazhi për të penguar vullnetin politik të shumicës parlamentare!
Rruga Press

