Bota

Protestat në Iran, Merz: Ndoshta po dëshmojmë ditët dhe javët e fundit të këtij regjimi

Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se regjimi në Iran mund të jetë duke ardhur drejt fundit mes protestave masive antiqeveritare në vend, i cili mbetet i izoluar nga pjesa tjetër e botës pa qasje në internet për më shumë se 100 orë.

“Nëse një regjim mund të qëndrojë në pushtet vetëm përmes përdorimit të dhunës, atëherë ai në thelb është i mbaruar. Mendoj se aktualisht ndoshta po dëshmojmë ditët dhe javët e fundit të këtij regjimi”, tha Merz këtë të martë nga Bangalore, Indi.

Kancelari gjerman kishte dënuar tashmë veprimet e forcave iraniane të sigurisë kundër protestuesve të hënën , duke i quajtur ato “joproporcionale” dhe “të dhunshme”.

Lexo më shumë  Protestat kundër regjimit të Ajatollahut dhe përgjigjja me dhunë/ Kallas: BE gati për sanksione të reja ndaj Iranit pas shtypjes së protestave

Protestat në Iran,  më seriozet në vite, shpërthyen më 28 dhjetor në Teheran në përgjigje të inflacionit të lartë dhe një ekonomie të dobët. Ato tani janë përhapur në qytete të tjera dhe kanë marrë një kthesë politike, me trazira dhe përplasje midis protestuesve dhe forcave të sigurisë. Autoritetet iraniane akuzojnë ShBA-në dhe Izraelin për nxitjen e trazirave. Aktivistët, nga ana e tyre, thonë se forcat iraniane të sigurisë po përdorin taktika të dhunshme për t’u përballur me protestuesit. Organizata për të Drejtat e Njeriut në Iran (IHRNGO) me seli në Oslo ka njoftuar se të paktën 648 persona janë vrarë që nga fillimi i protestave.

Lexo më shumë  Trumpi shpall tarifa të reja për vendet që tregtojnë me Iranin

Vendi është shkëputur gjithashtu nga interneti që nga 8 janari dhe ka qenë në veprim për 108 orë, tha organizata joqeveritare Netblocks, mbikëqyrëse e sigurisë kibernetike. “Irani ka vendosur një ndërprerje të internetit në të gjithë vendin për 108 orë, duke i izoluar iranianët nga pjesa tjetër e botës dhe nga njëri-tjetri”, tha Netblocks. Megjithatë, lidhjet telefonike me botën e jashtme, të cilat u ndërprenë të premten, janë rivendosur, sipas një gazetari të AFP-së në Teheran.

Rruga Press

YouTube player