Dhe vjen një moment kur nuk të ndihmojnë as çorapet lara-lara, as kullat e larta
Nga Enver Robelli
Dhe vjen një moment kur nuk të ndihmojnë as çorapët lara-lara, as kravatat lara-lara, as fjalimet lara-lara, as dënglat, as pallavrat, as gjepurat, as pozat patriotike, as retorika e sukseseve të pandalshme, as faqja e parë e “New York Times” me haberin se do të shpallet së shpejti “shteti bektashian”, as satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2”, as samitet pompoze, as kullat e larta. Vjen dita kur edhe fitorja e tretë elektorale më shumë i ngjan mallkimit se sa bekimit.
Në këtë situatë tani është Edi Rama. Ministra në burg, ministra në arrati, ministra duke pritur arrestimin, shefa droge të afërt me pushtetin dhe tani të futur në lista të zeza nga SHBA-të. Institucione të kapura. Shefa policie që veprojnë si të deleguar të krimit të organizuar brenda shtetit. Zyrtarë shteti, këshilltarë, qatipë e funksionarë që qeverisjen e shohin vetëm si mundësi për vjedhje.
Një qeveri në panik. Një parti në pushtet e nënshtruar dhe e dorëzuar nga frika e shembjes, deputetë pa kurajë për të rezistuar kundër manipulimeve, keqpërdorimeve, krimeve e poshtërsive të tjera. Aq larg ka shkuar babëzia, saqë “biznesmenë” të pushtetit mund të ujdisin bodrum me verë me shishet më të shtrenjta që mund t’i kenë vetëm pallatet presidenciale në Paris, Romë apo Madrid. Natyrisht, siç po dyshohet, pa paguar fare doganë, andaj shishet fshihen e zhduken brenda natës.
Në çdo vend tjetër me demokraci të zhvilluar dhe shoqëri aktive një qeveri e tillë do të binte nga pushteti brenda një jave. Në Shqipëri kjo duket iluzore për shkak se opozitën e mban peng një plak që i ka hallet e veta (edhe me drejtësinë), të cilat nuk janë hallet e Shqipërisë. Kur s’ka konkurrencë serioze politike, qeveria më shumë ia ka frikën kullave prej letre që i ka ndërtuar vetë se sa një opozite të hutuar dhe humbur në mbrojtjen e interesave private.
Rruga Press

