Kurti: 2.5 milionë euro për ndërtimin e QKMF-së së re në Fushë Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja për ndërtimin e Qendrës së re Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Fushë Kosovë, projekt me vlerë 2.5 milionë euro. Marrëveshja është lidhur ndërmjet Komunës së Fushë Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Kurti e ka cilësuar këtë si një fillim të mbarë të punës për kryetarin e ri të Fushë Kosovës, Valon Prebreza, duke e quajtur një lajm shumë të mirë për banorët e kësaj komune.
Ai ka theksuar se ndërtimi i QKMF-së së re është pjesë e investimeve të gjera të Qeverisë në kujdesin shëndetësor primar. Sipas Kurtit, ndër investimet kryesore përfshihen përzgjedhja e mjekut familjar përmes platformës eKosova, rritja e buxhetit për barna në kujdesin parësor nga 11 milionë në 24.5 milionë euro, furnizimi i komunave me mbi 40 autoambulanca të reja, si dhe me 30 automjete për vizita shëndetësore.
Kryeministri ka bërë të ditur se gjatë këtij mandati qeverisës janë gjashtë QKMF që po ndërtohen ose janë përuruar: në Drenas, Shtime, Istog dhe Ferizaj, që janë në proces ndërtimi, QKMF-ja në Mamushë e përuruar vitin e kaluar, si dhe tani ajo në Fushë Kosovë.
Sipas tij, krahas investimeve në QKUK dhe spitalet rajonale, Qeveria ka vënë theks të veçantë në QMF dhe QKMF, të cilat përbëjnë portën e parë të shërbimit publik shëndetësor për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Rruga Press

