BotaKryesore

Arrestohet Federica Mogherini, dyshohet për mashtrim në projekte të BE-së

Autoritetet belge kanë arrestuar ish-shefen e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, nën dyshimin për mashtrim.

Së bashku me të është arrestuar edhe ish-sekretari i përgjithshëm i Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), diplomati italian Stefano Sannino.

Sipas Zyrës së Prokurorit Publik Evropian (EPPO), dyshimet lidhen me formimin e Akademisë Diplomatike të Bashkimit Evropian – një program trajnimi për diplomatë të rinj, i cili iu dha Kolegjit të Evropës në Belgjikë nga EEAS, gjatë periudhës 2021–2022, pas një procedure tenderimi.

Lexo më shumë  Gërvalla në Stamboll: Turqia, partner strategjik i Kosovës për paqe, siguri dhe stabilitet rajonal

Autoritetet po hetojnë nëse EEAS ka shkelur rregullat e tenderimit duke ndarë informacione me Kolegjin e Evropës para se projekti t’i jepej zyrtarisht këtij institucioni.

Në orët e mëngjesit është bastisur selia e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), si dhe ndërtesa e Kolegjit të Evropës, i cili financohet pjesërisht nga institucionet e BE-së.

Zyra e Prokurorit Publik Evropian ka konfirmuar bastisjet dhe identitetin e personave të ndaluar.

Bastisje janë zhvilluar gjithashtu edhe në shtëpitë private të individëve të arrestuar. EPPO ka kërkuar këto veprime si pjesë e një hetimi për mashtrim të dyshuar në lidhje me një projekt trajnimi të financuar nga BE për diplomatë të rinj.

Lexo më shumë  Kosova dhe Serbia bien dakort që të funksionalizojnë komisionin për të zhdukurit me dhunë gjatë luftës

Federica Mogherini u emërua rektore e Kolegjit të Evropës menjëherë pasi përfundoi mandatin si shefe e diplomacisë evropiane.

Kolegji i Evropës është institut pasuniversitar i studimeve evropiane, me kampuse në qytetin Bruges të Belgjikës, në Varshavë të Polonisë, si dhe që nga viti i kaluar edhe në Tiranë.

YouTube player