Ministrja Rizvanolli reagon ndaj dezinformimeve: Asnjë megavat energji nuk është blerë nga EFT apo Vuk Hamoviq për 28 Nëntorin
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar ndaj raportimeve dhe pretendimeve në rrjete sociale lidhur me furnizimin me energji elektrike më 28 nëntor, duke i cilësuar ato si dezinformime të qëllimshme.
Në postimin e saj, Ministrja Rizvanolli shkruan:
“STOP DEZINFORMIMIT
Nuk ka datë më të rëndësishme për kombin shqiptar se sa 28 nëntori. Të shfrytëzosh këtë datë të shenjtë për të helmuar festën e prekur ndjenjat e shqiparëve me gënjeshtra është niveli më i ulët i kësaj beteje të ulët politike që po bëhet ndaj Qeverisë tonë.
KOSTT ka analizuar të dhënat për këtë datë dhe rezultati është i qartë: Nuk ka ASNJË FAKT që as edhe një MWh i vetëm i konsumuar në Kosovë është blerë ose bartur nga EFT e Vuk Hamoviqit.”**
Reagimi i saj mbështetet edhe nga sqarimi zyrtar i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike (KOSTT), i cili ka publikuar deklaratën e mëposhtme:
“Sqarim rreth raportimeve për furnizimin e qytetarëve me energji elektrike më 28 nëntor 2025
Operatori i Sistemit, Transmetimit dhe Tregut të energjisë elektrike (KOSTT) demanton deklarimet dhe raportimet se EFT LLC do të furnizojë qytetarët e Republikës së Kosovës me energji elektrike me datë 28 nëntor 2025.
Bazuar në të dhënat zyrtare të Operatorit të Tregut, KOSTT siguron qytetarët dhe opinionin publik se EFT LLC nuk ka rezervuar në SEE CAO kapacitete ndërkufitare për furnizimin e konsumit të brendshëm në Kosovë, por me qëllim transiti të energjisë elektrike. Palët tregtare rezervojnë kapacitetet ndërkufitare në SEE CAO për import dhe eksport ndërkufitar të energjisë elektrike.”
Me këtë, institucionet përgjegjëse hedhin poshtë çdo pretendim për përfshirje të EFT në furnizimin e energjisë elektrike për Kosovën më 28 nëntor, duke theksuar nevojën për informim korrekt dhe shmangie të dezinformatave.
Rruga Press

