Maqedonci: Rrugëtimi ynë udhëhiqet nga amaneti për ta mbrojtur flamurin
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se në një botë ku kërcënimet për paqen dhe sigurinë po rriten, Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë pranë njëra-tjetrës si kurrë më parë, për të mbrojtur vlerat, identitetin dhe ëndrrën e përbashkët të kombit.
“Sot zemra e çdo shqiptari rreh më fort. Në këtë ditë të veçantë kujtojmë betejat e Skënderbeut në Krujë, momentin e shenjtë të ngritjes së flamurit në Vlorë, lindjen e komandantit Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së, ngjarje që nuk janë vetëm histori, por pjesë e shpirtit tonë kombëtar”, ka shkruar Maqedonci.
Ministri në detyrë i mbrojtjes tha se rrugëtimi i tyre jetësor udhëhiqet nga amaneti për ta mbrojtur tokën e flamurin.
“Nga Prekazi, ku u shkrua një nga kapitujt më të dhimbshëm e më të ndritur të lirisë, e deri te forca jonë e sotme, pasardhëse e UÇK-së, rrugëtimi ynë jetësor udhëhiqet nga amaneti: ta duam këtë tokë, ta mbrojmë këtë flamur dhe të mos harrojmë kurrë sakrificat që na sollën deri këtu. Në një botë ku kërcënimet për paqen dhe sigurinë po rriten, Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë pranë njëra-tjetrës si kurrë më parë, për të mbrojtur vlerat, identitetin dhe ëndrrën e përbashkët të kombit”, ka shkruar ai.
Rruga Press

