“Këto janë veprime korruptive” – LVV paralajmëron se votimi i mërgatës rrezikohet, ndërsa PDK–LDK–AAK–Lista Serbe e shtyjnë përpara amendamentin e postës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar sot buxhetin prej 11.5 milionë euro për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, mes polemikave të forta për procesin e votimit të mërgatës. Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së, AAK-së, KDTP-së dhe Listës Serbe votuan pro një amendamenti që parasheh dërgimin e fletëvotimeve fizike me postë në adresat e votuesve jashtë vendit – një proces që, sipas LVV-së dhe kryesuesit të KQZ-së, rrezikon të dështojë plotësisht.
LVV: Fletëvotimet do të arrijnë pas zgjedhjeve – mërgatës po i mohohet e drejta kushtetuese
Anëtari i KQZ-së nga VV, Alban Krasniqi, kundërshtoi ashpër amendamentin, duke theksuar se sekretariati i KQZ-së nuk ka dhënë rekomandim për dërgimin e fletëvotimeve përmes postës në këtë proces zgjedhor. Ai paralajmëroi se për shkak të kohës së shkurtër dhe pamundësive logjistike, mërgata rrezikon të mbetet pa mundësi votimi.
“Duhet të procedojmë me buxhetin siç ka ardhur. Nuk ka asnjë rekomandim profesional për këtë operacion. Me këtë vonesë, çdo ditë e humbur rrezikon seriozisht organizimin e zgjedhjeve dhe e bën të pamundur votimin përmes postës për 28 dhjetorin,” deklaroi Krasniqi.
Radoniqi: Dërgesat postare do të shkojnë pas 7 janarit – 3.7 milionë euro rrezikojnë të digjen
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, u mbështet në raportet zyrtare të Postës së Kosovës dhe DHL-së, të cilat – sipas tij – tregojnë qartë se dërgimi i pakove me fletëvotime nuk mund të përfundojë brenda afatit ligjor.
“Jemi të sigurt se këtë operacion nuk e përfundojmë. Dërgesat shkojnë pas datës 7 janar. Të harxhohen 3.7 milionë euro për një shërbim që nuk kryhet është absurde,” tha Radoniqi.
Opozita i mohon vlerësimet profesionale – insistojnë ta përfshijnë amendamentin në buxhet
Megjithë paralajmërimet e Radoniqit dhe anëtarëve të LVV-së, përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së vazhduan të kërkojnë futjen e amendamentit që obligon dërgimin e fletëvotimeve fizike. Ata e cilësuan “të përputhshëm me rregulloret” dhe refuzuan të marrin parasysh rreziqet e theksuara nga shërbimet postare.
Krasniqi: Veprimet janë të qëllimshme – po bllokohet mërgata dhe po krijohet hapësirë për keqpërdorim
Pas miratimit të amendamentit, Krasniqi reagoi ashpër, duke e konsideruar vendimin si bllokim të qëllimshëm të votës së mërgatës dhe si veprim me elemente korruptive, pasi buxheti i miratuar – sipas tij – shkon drejt një operacioni të dështuar.
“Me këto veprime i mohoni mërgatës të drejtën e votimit përmes postës. Raporti tregon qartë se operacioni nuk mund të kryhet, ndërsa ju votuat për një buxhet që nuk e arrin qëllimin. Kjo është abuzim me buxhetin dhe veprim korruptiv,” tha ai.
Kostoja shkon në 11.5 milionë euro – 3.7 milionë vetëm për postën
Buxheti i miratuar përfshin edhe 3.7 milionë euro për dërgimin e pakove me postë për rreth 84 mijë votues potencialë të diasporës – një proces që sipas raportimeve zyrtare rrezikon të mos përfundojë brenda afateve ligjore.

Rruga Press

