Kurti: S’na ndali as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve – Mbajeni përgjegjës tani secilin kryetar për premtimet e dhëna
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen në balotazhin e zgjedhjeve lokale, duke vlerësuar angazhimin e tyre si kontribut të rëndësishëm për demokracinë dhe zhvillimin e vendit.
Përmes një mesazhi publik, Kurti u shpreh mirënjohës ndaj çdo qytetari që ushtroi të drejtën e votës, duke theksuar se pjesëmarrja e tyre tregoi pjekuri politike dhe ndikoi drejtpërdrejt në orientimin e qeverisjes lokale.
Po ashtu, ai bëri thirrje që tani kryetarët e zgjedhur të mbahen përgjegjës për premtimet dhe për gjendjen reale në komunat që do të udhëheqin.
“Ju falemnderit për pjesëmarrjen në balotazh. Treguat vullnet dhe pjekuri, i kontribuat demokracisë në Kosovë dhe orientimit të politikave publike në komunat tuaja. Mbajeni përgjegjës tani secilin kryetar për premtimet e dhëna dhe gjendjen në qytete e fshatra,” tha Kurti.
Duke iu drejtuar aktivistëve të Vetëvendosjes, kryeministri theksoi rritjen e fuqisë politike të partisë, e cila tashmë do të udhëheqë në shtatë komuna – më shumë se kurrë më parë.
“Tash do të qeverisim në shtatë komuna të Republikës, pra më shumë se kurdoherë më parë. Lëvizjen tonë s’e ndali dot as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve. Ju falemnderit çdonjërit për angazhimin. Na presin shumë punë e sfida, që do të thotë se para nesh ndodhen shumë suksese e fitore,” u shpreh ai.
Kurti e mbylli mesazhin me falënderime të përzemërta, duke theksuar se angazhimi i aktivistëve e strukturave të Lëvizjes ishte vendimtar në rezultatet e arritura.
Rruga Press

