KryesoreLajme

Nëntë vjet pa Astrit Deharin. Hajrulla Çeku: “Drejtësia nuk humb, edhe kur vonon”

Sot bëhen nëntë vjet nga vdekja e Astrit Deharit, aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili humbi jetën më 5 nëntor 2016, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Në këtë përvjetor, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka kujtuar me dhimbje dhe nderim Astritin, duke e përshkruar si një djalë guximtar, të ndershëm dhe të përkushtuar ndaj idealit të drejtësisë dhe lirisë.

“Sot kujtojmë me dhimbje dhe nderim një djalë guximtar, të përkushtuar dhe të ndershëm. Një aktivist shembullor që besonte në drejtësi dhe në të ardhme më të mirë për vendin tonë.
Jeta e Astritit u ndërpre padrejtësisht, por kujtimi dhe ideali për të cilin ai jetoi, janë përditë në mendjen dhe punën tonë.
Drejtësia nuk humb, edhe kur vonon. Lavdi kujtimit të Astrit Deharit,” – ka shkruar Çeku.

Astrit Dehari ishte student i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës dhe aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje. Ai u arrestua më 2016, pas protestave kundër Qeverisë së atëhershme, dhe vdiq në paraburgim në rrethana që ngritën dyshime të forta për mënyrën e vdekjes.

Lexo më shumë  113 vjet nga themelimi i Forcave të Armatosura të Shqipërisë

Ndër vite, familja Dehari dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë kërkuar vazhdimisht zbardhjen e plotë të rastit. Hetimet e para të institucioneve vendore e cilësuan ngjarjen si vetëvrasje, por raportet e mëvonshme të ekspertëve zviceranë kanë sugjeruar mundësinë e një vrasjeje, duke e bërë rastin ende të hapur dhe të diskutueshëm publikisht.

Çdo përvjetor, figura e Astrit Deharit përkujtohet nga familja, shokët e idealit dhe qytetarë të shumtë si simbol i përkushtimit ndaj drejtësisë dhe ndryshimit shoqëror.

Rruga Press

YouTube player