KryesoreLajme

Nenad Rashiq: Para 4 viteve nuk ka qenë e mundshme të kesh zë ndryshe në veri të Kosovës

Në “Përballje Podcast” të Telegrafit, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe lider i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, ka folur për pjesëmarrjen e partisë së tij në zgjedhjet lokale dhe për ndryshimet që, sipas tij, kanë nisur të ndodhin edhe në veriun e Kosovës.

Rashiq tha se për herë të parë partia e tij ka garuar në të gjitha zonat ku jeton komuniteti serb, përfshirë edhe veriun e vendit, duke e cilësuar këtë si një arritje të rëndësishme për pluralizmin politik.

*Ne kemi marrë pjesë në gjashtë komuna dhe në gjashtë komuna kemi pasur kandidatë për kryetarë. Tre në veri dhe tre në jug – si një balanc i mundësive dhe përfaqësimit. Kjo është hera e parë që po dalim në këtë formë në veri”, tha Rashiq.

Lexo më shumë  Qeveria mblidhet “online”, i merr dy vendime

Ai tregoi se fushata e tyre është zhvilluar kryesisht përmes kontakteve personale dhe rrjeteve sociale, pasi, siç tha, organizimi i tubimeve publike shpesh është i pamundur për shkak të presioneve politike.

“Kemi bërë një fushatë personale, përmes kontakteve të drejtpërdrejta me qytetarët dhe rrjeteve sociale. Është e vështirë të organizosh tubime, sepse oponenti ynë kryesor, Lista Serbe, i përdor ato informacione për të identifikuar simpatizuesit tanë dhe për t’i frikësuar ata me kërcënime, shantazhe dhe largime nga puna”, deklaroi ai.

Sipas Rashiqit, pavarësisht sfidave, qytetarët kanë treguar gatishmëri për ndryshim dhe kanë përkrahur alternativa të reja politike.

Lexo më shumë  Macron: SHBA dhe Evropa duhet të punojnë së bashku për paqen dhe sigurinë e Ukrainës

“Kemi pasur reagim pozitiv nga qytetarët. Ata janë lodhur nga frika dhe nga kontrolli i një partie të vetme. Kemi arritur që për herë të parë të kemi përfaqësues në asambletë komunale në veri, gjë që është arritje e madhe për pluralizmin politik”, theksoi ai.

Duke folur për situatën e përgjithshme politike në veri, Rashiq tha se vetëm vite më parë një gjë e tillë do të ishte e paimagjinueshme.

“Në veri, ndoshta para tri-katër vjetësh ose më shumë, nuk ka qenë e mundshme të kesh një zë tjetër. Tani kemi filluar të shohim një përmirësim sa i përket përfaqësimit të komuniteteve, sidomos në veri. Por, ende na duhet shumë punë që njerëzit të mos kenë frikë të mendojnë ndryshe”, përfundoi Rashiq

Rruga Press

YouTube player