Enver Dugolli: Nga viktimë e torturave në vitet ’80, sot i paditur për deklaratat ndaj ish-oficerit të UDB-së
Enver Dugolli, ka bërë të ditur se është intervistuar sot në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës në cilësinë e të paditurit për “nxitje të urrejtjes”.
Padia është ngritur nga pjesëtari i Policisë së Kosovës, Shpend Istogu, djali i ish-oficerit të UDB-së, Ajet Istogu, të cilin Dugolli e akuzon për tortura ndaj të rinjve dhe intelektualëve shqiptarë gjatë viteve ’80.
Dugolli kujtoi se edhe vetë kishte përjetuar dhunë fizike e psikike nga Istogu, duke thënë se pasojat e asaj kohe vazhdojnë të jenë të gjalla edhe sot. Ai shtoi se familjarët e ish-oficerit, në vend se të shprehnin keqardhje apo kërkonin falje, kanë zgjedhur rrugën e padisë.
“Është e habitshme dhe e dhimbshme që, pas 44 vitesh, historia duket se përsëritet: atëherë, babai i tij më torturoi dhe përgatiti dosjen për aktakuzë të rëndë; sot, djali i tij më padit për ‘nxitje të urrejtjes’”, deklaroi Dugolli.
Ai theksoi se nuk do të tërhiqet nga deklarimet e tij publike, duke kërkuar që Prokuroria Speciale të merret me dëshmitë e krimeve të kryera ndaj të burgosurve politikë dhe shqiptarëve gjatë regjimit serb, e jo me, siç i quajti ai, “pretendime boshe”.
Sipas tij, ky proces nuk është vetëm çështje personale, por prekje e plagëve të qindra e mijëra shqiptarëve që kanë vuajtur torturat e aparatit shtypës të Serbisë dhe bashkëpunëtorëve të saj.
Rruga Press

