Bota

Strategjia e Rusisë ndaj Perëndimit: përshkallëzim i ngadalshëm për të testuar reagimet

Zyrtarë ukrainas dhe evropianë paralajmërojnë se presidenti rus Vladimir Putin është inkurajuar nga mungesa e reagimeve të ashpra të Perëndimit, duke përdorur një strategji të përshkallëzimit të ngadaltë dhe të kujdesshëm për të testuar vijat e kuqe të SHBA-së dhe NATO-s.

Sipas New York Times, në tre javët e fundit, Rusia ka goditur një varg objektivash me ndjeshmëri të lartë: një fabrikë amerikane në Ukrainën perëndimore, dy komplekse diplomatike evropiane dhe një ndërtesë të rëndësishme të qeverisë në Kiev. Kulmi erdhi kur dronët rusë hynë në hapësirën ajrore të Polonisë, një vend anëtar i NATO-s, duke ngritur alarmin për përfshirjen e drejtpërdrejtë të Aleancës, transmeton Rruga Press.

Tym që ngrihet nga ndërtesa e Kabinetit të Ministrave pas një sulmi rus në Kiev të dielën.

Për dekada, planifikuesit ushtarakë amerikanë dhe evropianë i frikësoheshin një sulmi të befasishëm nga Bashkimi Sovjetik apo Rusia – si një sulm bërthamor i menjëhershëm. Por në luftën në Ukrainë, Kremlini ka zgjedhur një strategji tjetër: të kalojë vijat e kuqe hap pas hapi, duke matur reagimet, duke ruajtur një nivel mohimi dhe duke shmangur konfrontimin e drejtpërdrejtë.

Dronët në Poloni dhe reagimi i NATO-s

Dronët që fluturuan mbi Poloni sollën ndërhyrjen e avionëve luftarakë të NATO-s, në rastin e parë kur forcat e Aleancës u angazhuan direkt kundër armëve ruse që nga nisja e pushtimit më 2022. Megjithatë, sulmet e mëparshme ndaj objekteve në Ukrainë dhe afër përfaqësive diplomatike evropiane u ndoqën vetëm nga deklarata të ashpra, por pa ndëshkime konkrete për Moskën.

Lexo më shumë  Shqetësimi i kancelarit gjerman: Evropa duhet të bëhet urgjentisht më e pavarur

“Dronët rusë që fluturojnë mbi Poloni tregojnë se ndjenja e pandëshkueshmërisë së Putinit po rritet”, deklaroi ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha. “Ai nuk u ndëshkua siç duhej për krimet e mëparshme.”

Katarina Mathernova, ambasadore e BE-së në Ukrainë, theksoi se presidenti rus është bërë më i guximshëm, duke kujtuar se Kremlini nuk ka paguar asnjë çmim real për intensifikimin e luftës, madje edhe pas samitit të muajit të kaluar mes Putinit dhe presidentit Donald Trump në Alaskë.

Përshkallëzim simbolik, jo vetëm ushtarak

Sipas analistëve, Rusia tashmë është afër kufijve të kapaciteteve të saj konvencionale, por po përdor sulme simbolike për të testuar mbrojtjen e Perëndimit dhe për të dërguar mesazhe politike. Goditjet e fundit janë lënë qëllimisht me hije dyshimi:

  • Fabrika amerikane e shkatërruar në Ukrainën perëndimore prodhonte makineri kafeje, por objekte të ngjashme shpesh kanë edhe funksione ushtarake.
  • Dy raketat që dëmtuan selitë e BE-së dhe Këshillit Britanik në Kiev shpërthyen në një ndërtesë ngjitur, duke lënë hapësirë për interpretime.
  • Sulmi me raketë ndaj ndërtesës së Këshillit të Ministrave të Ukrainës u paraqit fillimisht si një devijim i paqëllimshëm, edhe pse autoritetet ukrainase e quajtën më pas goditje të qëllimshme.
Lexo më shumë  Billie Eilish, Olivia Dean, Bad Bunny, Justin Biber dhe shumë artistë të tjerë protestojnë kundër ICE dhe Trump-it në fjalimet e tyre në Grammy

Pas hyrjes së dronëve në Poloni, aleatja e Moskës, Bjellorusia, madje pretendoi se kalimi i kufirit kishte ndodhur “aksidentalisht”.

Mohime, propagandë dhe precedentë historikë

Kjo qasje nuk është e re. Kremlini ka përdorur prej dekadash taktika të mohimit dhe keqinformimit. Nga “ushtarët e vegjël të gjelbër” pa simbole në Krime më 2014, tek operacionet ushtarake në Afganistan e Çeki, deri te ndërhyrja e fshehtë në Siri më 2015, Rusia gjithmonë ka lënë hapësirë për dyshime.

Edhe këtë herë, zyrtarët rusë tentuan ta fajësojnë Ukrainën. “E dimë vetëm një gjë – këta dronë fluturuan nga Ukraina”, tha Andrey Ordash, i ngarkuari me punë i ambasadës ruse në Poloni, për agjencinë Tass.

Por zyrtarët perëndimorë e shohin ndryshe. “Gënjeshtra dhe mohime janë përgjigje tipike sovjetike,” deklaroi ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski.

Një strategji për negociata?

Zyrtarë në Kiev besojnë se kjo strategji e përshkallëzimit të ngadalshëm – e përshkruar si “escalate to de-escalate” – mund të përdoret nga Moska si kartë negociuese. Sipas një këshilltari të administratës presidenciale ukrainase, Rusia mund t’i ofrojë Polonisë dhe NATO-s “garanci” për mos përsëritje të sulmeve, duke e paraqitur këtë si një lëshim në negociata për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

YouTube player