Lajme

Aktakuzë për spiunazh ndaj H.S., paguhej nga 700 € në muaj për informatat që i jepte BIA-s

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj H.S., për veprën penale “Spiunazh”.

I  pandehuri H.S., thuhet se akuzohet se nga nëntori i vitit 2009, e deri në momentin e arrestimit më 06.05.2025, ka bashkëpunuar me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë e njohur si BIA.

Sipas aktakuzës, H.S., më  22.11.2015 kishte udhëtuar në Siri, duke iu bashkuar organizatës terroriste “ISIS”.

Lexo më shumë  “Atë ditë në Izbicë s’ka pasë dasëm, por janë masakruar 137 veta”, familjari i viktimave i zhgënjyer me dënimin ndaj Alidemajt

“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se H.S. kishte dërguar informacione te zyrtarët e BIA-së, në lidhje me numrin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në ‘ISIS’, organizimin e tyre dhe në cilat pjesë të Sirisë operonin ata. Ndërsa, pas kthimit në Kosovë, dhe vuajtjes së burgut për pjesëmarrje në organizata terroriste, i njëjti kishte vazhduar të takohej në Serbi me zyrtarët e BIA-së, më konkretisht me Drejtorin për Luftimin e Terrorizmit I.B., dhe të përcjell informata tjera të rëndësishme”, thuhet në njoftim.

Sipas aktakuzës, si shpërblim për këto informacione, zyrtarët e BIA-së e paguanin H.S deri në 700 euro në muaj.

Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës vazhdimin e masës së paraburgimit, dhe pas shqyrtimit gjyqësor, i pandehuri të shpallet fajtor për veprat penale që i vihen në barrë dhe ndaj tij të shqiptohet dënim konform ligjeve në fuqi.

YouTube player