Kushtetuesja nuk është shenjtëri, thotë Osmani – Diskutimi mbi vendimet e saj është pjesë e funksionimit demokratik
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka reaguar deklaratave që gjoja vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk bën të komentohen e debatohen, duke thënë se Kushtetuesja nuk është shenjtëri, por siç theksoi ajo, institucion publik edhe është e drejtë që vendimet të debatohen.
“Kushtetuta nuk e ndalon, as praktika kudo në botë që ne të komentojmë vendimet të gjykatave. Se i dëgjoj disa nganjëherë që thonë se ndalohet komentimi. Është gënjeshtër. Nuk ndalohet askund. As nuk ndalohet kritika në raport me Gjykatën. Po flas për kritikën profesionale, sepse e them shpesh në stafin tim që dy jurista me i bë bashkë me një dhomë, i ke pesë mendime të ndryshme. Kështu që është e pamundur me pas pajtim të plotë. Këto janë në suaza të normales dhe në suaza të demokracisë”- tha Osmani për media.
E para e vendit, tha që kryesorja është që vendimet e Kushtetueses të respektohen dhe të zbatohen, e që sipas saj në Kosovë çdoherë respektohen edhe kur nuk ju pëlqejnë.
“Tash, mos të pretendojmë që Gjykata Kushtetuese dhe gjyqtarët e tjerë janë një shenjtëri. Jo janë institucion publik, edhe po mund të flasim edhe për punën e tyre, siç flisni ju për punën time e të tjerëve. Gjykata Kushtetuese është institucion nuk është mbi Kushtetutën. Është brenda normave të debatit demokratik në të gjithë botën”- shtoi ajo.
Mirëpo, Osmani përsëriti që është kundër keqpërdorimit të lirisë së shprehjes që nxit dhunë apo këcënimin, “ama liria e debatit ku diskutojmë, se a e ka dikush të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës apo jo, është debat demokratik.”
Ky deklarim i Osmani erdhi pas pyetjes se si e komenton reagimin e Ambasadës gjermane në Kosovë, ku kritikuan gjuhën e përdorur ndaj Kushetetueses.
Rruga Press

