Lista Serbe s’e njeh Kushtetutën, por Kushtetuesja ia njeh ankesën, madja pezullon konstituimin e Kuvendit
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pas kërkesës së dorëzuar nga Lista Serbe – paradoksalisht, nga e njëjta parti që vazhdimisht refuzon të njohë Kushtetutën dhe vetë institucionet e Republikës së Kosovës.
Në vendimin e publikuar sot (5 shtator), Gjykata njofton se ka ndaluar çdo veprim të deputetëve dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë deri më 30 shtator 2025.
“TË CAKTOJË ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesve masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë”, thuhet në aktvendim.
Kjo ndërhyrje erdhi pas ankesës së Listës Serbe, e cila kontestoi si jokushtetues procesin e votimit të ndarë për nënkryetarët nga komunitetet jo-shumicë gjatë seancës konstituive. Asnjëri nga 9 deputetët e Listës Serbe nuk arriti të marrë votat e nevojshme për postin e nënkryetarit, e as deputeti tjetër serb Nenad Rashiq nuk siguroi mbështetje.
Pavarësisht kësaj, kryeparlamentari Dimal Basha shpalli Kuvendin si të konstituuar, duke e ndarë procesin e votimit për nënkryetarë të komuniteteve. Ky vendim u kundërshtua nga Lista Serbe, e cila tash ka arritur ta bllokojë funksionalitetin e Kuvendit përmes Gjykatës Kushtetuese.
Paradoksi qëndron në faktin se Lista Serbe, e cila e quan Kuvendin e Kosovës “Kuvendi në Prishtinë” dhe nuk e njeh rendin kushtetues të Republikës, po e përdor pikërisht këtë rend kushtetues për të bllokuar institucionet e shtetit.
Rruga Press

