Edhe një gjamatar ma shumë! Kërkohet edhe një vajtojcë…
Shkruan Agim Morina
A ju kujtohet, – ndoshta jo, – sa gjamatarë e sa vajtojca, disa profesionalë e disa amatorë, patën dalë e banin gjamë e vaj kur qeveria me në krye Albin Kurtin patën marrë vendime të meritueme kundër Serbisë e që ma parë dukeshin të paimagjinueshme? Dhe a e dini qysh ndodhte kjo: sapo nga dritarja e hapun e nevojtores së ndonjë ambasade ndëgjohej ndonjë rrapamë gaznash natyrorë që dalin prej rropullive, gjamatarë e vajtojca shqiptare dekodonin mesazhin sipas ritmeve dhe prozodisë pordhacake. Si në kor, që të gjithë ktheheshin në paralajmërues të kiametit që na priste. “Partnerët ndërkombëtarë”, kujitnin ata bash si lukuni këlyshësh që dojnë m’iu vardisë zotnisë, “kanë shprehë pakënaqësinë e tyne dhe Kosova do ta pësojë…” Dmth. për mos m’ia prishë humorin “partnerëve ndërkombëtarë”, duhej me i duru zgjedhjet, referendumet, targat, dinarin dhe terrorin e klerofashizmit të Serbisë në Kosovë. Si u ba që këta gjamatarë e vajtojca nuk e kuptuen asnjëherë se edhe diplomatët ndërkombëtarë e kanë njëfarë obligimi me dalë e me thanë fjalë të thata, qëndrime sa për sy e faqe? Mbas gjithë atyne veprimeve të qeverisë Kurti, cilat ishin pasojat konkrete për Kosovën? Mund të flasim vetëm për dobinë që sollën këto veprime politike: veriu i Kosovës, rreth një çerek territori, me Ujmanin dhe Trepçën krejtësisht nën kontroll, sot janë pjesë integrueme në institucionet shtetnore si çdo pjesë tjetër e Kosovës. Dhe si rezultat ndikimi gjithnjë e ma i pakët i klerofashizmit serb.
E, pra, qeveria Kurti i dha fund mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, ndaloi mbajtjen e referendumeve të Serbisë në Kosovë, ndaloi përdorimin e dinarit në Kosovë, ndaloi përdorimin e targave të Serbisë në Kosovë e kështu tutje. Lëvizja VETËVENDOSJE! rrezikoi çdo gja, pos interesit shqiptar. Iu kundërvu çdokujt, pos vullnetit të popullit të Kosovës.
Kur erdhën terroristët e Serbisë dhe sulmuen Kosovën në Banjë, qeveria Kurti reagoi ashtu qysh kish me reagu çdo shtet: u dha dërrmën dhe i bani me ikë si lepujt. Ata vërtet e vranë rreshterin, tani heroin, Afrim Bunjaku, por lanë mbrapa të vdekun nja tre “krushq” (“krushq” sipas H. Thaçit), për dallim nga vetë Thaçi, i cili në kohën kur ishte kryeministër e iu vra polici Enver Zymberi të gjithë “krushqit” u zhdukën dikah me festu. Qeveria Kurti, tue ba me hangër dhé tre terroristët, e nxori hakun edhe të Zymberit. Le të përkujtojmë edhe një fakt: kur u pati ba ndërhymja në veri, në kohën e qeverisë Thaçi, Albin Kurti në Kuvend pati thanë se Lëvizja VETËVENDOSJE! përkrahte plotësisht ndërhymjen në veriun e Kosovës, por me një kusht: që të mos ketë kthim mbrapa. Atë që pati kërku nga Thaçi, sot Albin Kurti po e zbaton: s’ka kthim mbrapa.
Gjamatari ma i ri, që po ban gjamë rreth moscertifikimit të Listës Serbe, për një kohë ka ba edhe punën e qeveritarit e të diplomatit, tregon se nuk e ka haberin e diplomacisë. Shumë shpesh në diplomaci thuhet e kundërta e asaj që synohet me u thanë, për me arrijtë qëllimin e caktuem, për me kriju një balancë të përkohshme “qëndrimesh parimore”. Ngaqë pse do të quhej diplomaci, nëse nuk do të ishte manipulim i përhershëm me parime, shfaqje e asaj që asht e dobishme me u shfaqë tash, për me mujtë me futë në gropë sa ma thellë kundërshtarin e caktuem e me pasë përfitime sa ma të mëdha.
Serbia sot asht në flakën e që e ka ndezë për të tjerët me dekada. Vučići po lufton me mbetë në pushtet tue përdorë dhunë kundër serbëve, si dikur kundër shqiptarëve, boshnjakëve e kroatëve. Edhe për një politikan ndër ma hajvanët asht e kuptueshme se sot asht koha me i dhanë grusht e me rrëzu përtokë çdo element të klerofashizmit serb. Sot asht ora me goditë Vučićin në lule të ballit. Dhe nëse ka një organizatë që asht instrument në duert e Vučićit në Kosovë asht pikërisht Lista Serbe. Lista Serbe nuk përfaqëson serbët e Kosovës, këtë e dijnë edhe zogjtë në degë, edhe gomarët në livadh. Pos ndonjë gjamatari apo vajtojce shqiptare.
Çdo veprim i qeverisë Kurti në thelb ka qenë dhe mbetet në dobi të qytetarëve të Kosovës në përgjithësi dhe në dobi edhe të pakicës serbe, në veçanti. Moscertifikim i Listës Serbe nuk asht ndalim i vullnetit të serbëve të Kosovës, asht ndalim i vullnetit klerofashist të Serbisë në Kosovë. Të gjitha masat e ndërmarra kundër Serbisë nga qeveria Kurti, gjatë gjithë këtyre viteve, as nuk kanë qenë, as nuk kanë me qenë, kundër pakicës serbe të Kosovës, por kundër instrumentalizmit të vullnetit të tyne nga Serbia për interesa të politikës ditore atje. Përkundrazi, veprimet e qeverisë Kurti janë në dobi të pakicës serbe dhe çlirim nga tutela e Vučićit. Sot Vučići mundet me sulmu cilindo serb në Serbi, ashtu qysh po i rreh e po i sakaton nëpër rrugë e shtëpia, por Vučići nuk mundet me sulmu ma asnjë serb në Kosovë e me kalu pa pasoja. Serbët e Kosovës sot janë serbët ma të sigurtë rajon falë shtetit të Kosovës dhe falë qeverisë Kurti.
Prandej, gjamatarë e vajtojca, largohuni ndonjëherë nga ajo dritarja e vogël e nevojtores së ambasadave, sepse me i marrë erë amoniakut dhe kompostos së elementeve kimike që nxjerr trupi i insanit nuk janë të rekomandueshme për qëndrueshmëninë e shëndetit fizik e mendor. Dekodimi i rrapamave të gaznave natyrorë, sado që mund të duket argëtues, mbetet, pa dyshim, lexim prej fallxhorësh dhe jo dekodim i mirëfilltë mesazhesh diplomatike.
Rruga Press

