KryesoreLajme

Vetëvendosje: Gjykata Kushtetuese shkeli Kushtetutën dhe uzurpoi kompetencat e Kuvendit

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër ndaj një njoftimi të publikuar sot nga Gjykata Kushtetuese, duke e cilësuar atë si “devijim të rrezikshëm nga roli kushtetues” dhe “shkelje të parimeve themelore të shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve”.

Sipas VV-së, Gjykata Kushtetuese “nuk ka të drejtë të krijojë norma të reja juridike apo të imponojë rregulla që nuk kanë bazë në Kushtetutë”. Në reagim thuhet se “shpikja e rregullave tërësisht të reja në mes të procesit dhe ndërhyrja në mënyrë substanciale në kompetencat e Kuvendit është cënim i rendit kushtetues”.

Partia e Kryeministrit Kurti thekson se miratimi ose ndryshimi i Kushtetutës është kompetencë ekskluzive e Kuvendit ose e referendumit popullor, duke akuzuar Gjykatën se po “uzurpon rolin kushtetues të Kuvendit” dhe po vepron si “organ jashtëkushtetues”.

Lexo më shumë  Gërvalla takon gazetarët ukrainas në Kosovë: Mbrojtja e fjalës së lirë është mbrojtje e vetë lirisë

Në reagim ngrihet pyetja se mbi çfarë baze Gjykata ka vendosur që “grupi më i madh parlamentar ka të drejtë të propozojë të njëjtin kandidat vetëm tri herë”, duke e cilësuar këtë si normë të shpikur pa asnjë bazë kushtetuese apo doktrinare.

VV paralajmëron se Aktgjykimi që pritet të shpallet “do ta cënojë rëndë ndarjen e pushteteve” dhe përbën “rast të paprecedentë” të ndërhyrjes flagrante në kompetencat e Kuvendit. “Gjykata nuk mund të uzurpojë funksionin e hartimit apo amandamentimit të Rregullores së Kuvendit”, thuhet në reagim.

Partia e sheh vendimin e Gjykatës si të motivuar politikisht, duke pretenduar se herë pas here, kur Vetëvendosje duhet të veprojë sipas rregullave të vendosura më parë nga vetë Gjykata, “ato rregulla po i ndryshon vetë Gjykata”.

Po ashtu, VV e quan të panevojshëm dhe të motivuar politikisht fokusin e Gjykatës te Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, duke thënë se ai “nuk është subjekt kushtetues, por vetëm i Rregullores së Kuvendit” dhe se etiketimi i tij “përdor fjalorin e partive opozitare”.

Reagimi përfundon me paralajmërimin se ky është “rrezik i një pushteti juridik të pakontrolluar, që në vend të kontrollit të pushteteve të tjera, vetë bëhet burim i kapjes institucionale”.

YouTube player